Krenari: Ky është i riu kosovar që rrezikoi jetë dhe hyri në flakë për ta shpëtuar të moshuarën gjermane

Postieri nga Kosova që sfidoi flakët në Gjermani – historia e guximit që preku një komunitet të tërë
Një akt i rrallë guximi nga një i ri me prejardhje nga Kosova ka bërë jehonë në Gjermani, duke dëshmuar se heroizmi shpesh lind në momentet më të papritura. Leutrim Gashi, 33-vjeçar, i cili punon si postier në qytetin Buseck, është shndërruar në një figurë frymëzuese pasi rrezikoi jetën për të shpëtuar një grua nga një banesë e përfshirë nga flakët, shkruan Mitropol.
Ngjarja ka ndodhur një të martë të muajit shtator të vitit të kaluar, derisa Gashi ishte duke kryer punën e tij të përditshme në shpërndarjen e postës. Fillimisht, gjithçka dukej si një ditë e zakonshme, derisa një alarm tymi dhe britmat për ndihmë thyen qetësinë e lagjes. Përballë një situate që shumëkush do ta shmangte, ai vendosi të mos qëndrojë duarkryq.
Pasi pa një të ri në panik që kërkonte ndihmë, Gashi mësoi se në katin e parë të një ndërtese kishte shpërthyer zjarr, ndërsa brenda ndodheshin një çift i moshuar, të cilët nuk kishin mundësi të dilnin vetë. Edhe pse tymi i dendur dhe rreziku ishin të dukshëm, vendimi i tij erdhi brenda sekondash. “Çfarë do të doja nëse familja ime do të ishte aty?”, ishte pyetja që e shtyu të veprojë.
Ai hyri në ndërtesë, duke u përkulur nën shtresën e tymit për të shmangur thithjen e tij, dhe arriti të nxjerrë një grua jashtë, duke i shpëtuar jetën. Ndërkohë, ekipet emergjente mbërritën në vendngjarje dhe vazhduan operacionin për shpëtimin e personave të tjerë dhe shuarjen e zjarrit.
Sipas autoriteteve lokale, momentet në të cilat Gashi ndërhyri kanë qenë vendimtare.
“Pa të, gruaja nuk do të kishte arritur të dilte gjallë”, u tha gjatë një ceremonie falënderimi të organizuar në bashkinë e Buseckut, ku ai u nderua për guximin e treguar.
Megjithatë, ky akt nuk kaloi pa pasoja për të. Gashi pësoi helmim nga tymi dhe u trajtua nga ekipet mjekësore, ndërsa gjithsej gjashtë persona mbetën të lënduar nga zjarri.
Historia e tij nuk është vetëm një rrëfim shpëtimi, por edhe një dëshmi e rrugëtimit të një emigranti që ka ndërtuar jetën e tij nga e para në Gjermani. Ai kishte ardhur nga Kosova katër vite më parë së bashku me bashkëshorten, fillimisht duke punuar në ndërtimtari, për të kaluar më pas në shërbimin postar.
Banorët e zonës ku ai punon e njohin si një njeri të përkushtuar dhe të sjellshëm, ndërsa pas ngjarjes, shumë prej tyre u interesuan për gjendjen e tij dhe i dërguan mesazhe mbështetjeje. Një solidaritet që, siç thotë vetë ai, është kthim i asaj ndihme që kishte marrë në fillimet e tij./Mitropol/







