Aurora Group
02KOSOVËLAJME

Serbët ndërmarrin nismën për rikthimin e muraleve nacionaliste në Veri që u fshinë nga shteti vitin e kaluar

Një iniciativë e re për rikthimin e muraleve në Leposaviq dhe Soçanicë është bërë publike nga Vladimir Radosavljević, asambleist i Kuvendit Komunal të Leposaviqit dhe kryetar i degës së partisë “Demokracia Serbe” në këtë komunë, njofton Mitropol.

Përmes një njoftimi publik, ai ka bërë thirrje për mbështetje qytetare dhe organizim të përbashkët për rikthimin e muraleve që, sipas tij, përfaqësojnë “simbole të kujtesës”, dhe të cilat janë larguar më herët.

London

Në këtë nismë, serbët ftohen të kontribuojnë financiarisht dhe në mënyrë vullnetare, me synimin që muralet të rikthehen sa më shpejt në hapësirat publike ku kanë qenë të vendosura më parë. Sipas njoftimit, kostoja për realizimin e një murali arrin rreth 550 euro, duke përfshirë materialin, ngjyrat dhe punën e artistëve.

Po ashtu janë paralajmëruar vendosje të kutive për donacione në disa lokacione në Leposaviq. Krahas kësaj, organizatorët kanë theksuar nevojën për përfshirjen e vullnetarëve në realizimin e kësaj iniciative.

Kjo nismë rikthen në vëmendje zhvillimet e vitit të kaluar, kur Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kishte ndërmarrë aksion për largimin e grafiteve dhe muraleve të cilësuara si provokuese, të shoqëruara me gjuhë dhe simbole nacionaliste serbe. Kjo kishte ndodhur në kohën kur në katër komunat në veri kishte kryetarë shqiptarë, shkruan Mitropol.

Ish-ministri në detyrë i kësaj ministrie, Elbert Krasniqi, kishte deklaruar në rrjetin social Facebook se një pjesë e këtyre muraleve përmbanin mesazhe që cenojnë rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës.

“Republika e Kosovës është vend demokratik, me orientim të qartë perëndimor, dhe si e tillë nuk do të lejojë mesazhe të tilla që nxisin përçarje dhe mosdurim mes komuniteteve tona”, kishte shkruar ai në atë kohë.

Reagimi ishte përkrahur edhe nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili kishte theksuar se mesazhe që cenojnë rendin nuk do të tolerohen në Kosovë.

Nisma e fundit për rikthimin e muraleve pritet të nxisë reagime të reja dhe të rihapë debatin mbi përmbajtjen dhe ndikimin e tyre në hapësirat publike, veçanërisht në një zonë të ndjeshme si veriu i vendit./Mitropol/

Premium Store