Përleshje mes tre personave në Mitrovicë, policia gjen armë të ftohtë dhe substanca narkotike gjatë bastisjes

Një incident i rëndë është regjistruar në orët e hershme të mëngjesit të së martës, më 28 prill 2026, në Mitrovicë, ku tre persona janë arrestuar pas një përleshjeje fizike mes tyre, njofton Mitripio.
Sipas raportit zyrtar policor, rasti ka ndodhur rreth orës 06:00, kur pas një mosmarrëveshjeje të mëparshme, tre burra të dyshuar janë përfshirë në një konflikt fizik.
Rrethanat që çuan deri te përshkallëzimi i situatës nuk janë bërë të ditura, ndërsa rasti është trajtuar si “sulm”, “lëndim i rëndë trupor” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Në vazhdën e hetimeve dhe në koordinim me prokurorin e rastit, është realizuar bastisja e shtëpisë së njërit prej të dyshuarve. Gjatë kontrollit, autoritetet kanë gjetur dhe konfiskuar një shufër metalike, një fishek si dhe një qese me rreth 2.9 gram substancë të dyshuar narkotike.
Pas intervistimit dhe procedurave fillestare, me vendim të prokurorit, të tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse ka persona të lënduar që kanë kërkuar trajtim mjekësor, ndërkohë që rasti mbetet nën hetim për të sqaruar plotësisht motivet dhe rrethanat e ngjarjes./Mitropol/








