Rrahje që përfundoi me frakturë dhe bastisje – tre të arrestuar në Mitrovicë, zbulohet edhe kokainë

Një konflikt mes disa personave në Mitrovicë ka eskaluar në dhunë serioze, duke përfunduar me lëndime të rënda, dëmtim prone dhe zbulim të armëve e narkotikëve.
Ngjarja ka ndodhur më 28 prill 2026 rreth orës 06:05, ku fillimisht mosmarrëveshja kishte nisur afër Muzeut në Mitrovicë mes M.I, rreth 27-vjeçar dhe B. M, rreth 34-vjeçar, për t’u përshkallëzuar më pas në fshatin Frashër, në drejtim të Pantinës.
Në përfshirje të konfliktit ka hyrë edhe K.I, rreth 45-vjeçar, babai i njërit prej të dyshuarve, ndërsa si pasojë e përplasjes, viktima A.Rr., rreth 26-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda trupore, përfshirë frakturë në dorën e djathtë, për çka ka pranuar trajtim mjekësor. Gjatë incidentit i është dëmtuar edhe vetura.
Pas ndërhyrjes së Policisë dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është kryer bastisje në shtëpinë e Mergim Imerit, ku janë gjetur dhe sekuestruar: një fishek i kalibrit 9×19 mm, një shufër metalike, një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë 2.9 gram.
Me vendim të Prokurorit, M.I është ndaluar për 48 orë për “Posedim të paautorizuar të narkotikëve” dhe “Armëmbajtje pa leje”, K.I është ndaluar për “Lëndim të rëndë trupor” dhe “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë”, ndërsa B.M për veprën penale “Sulm”.
Rasti është nën hetime dhe autoritetet po vazhdojnë me procedurat e mëtejshme.
SHËNIM: Personat e apostrofuar në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga Gjykata.








