Medi
02KOSOVËLAJME

Menaxheri shkon ta kontrollojë kamionin e kompanisë në Vushtrri dhe zbulon vrima nga shpërthimi i granatës

Një incident i rëndë, që dyshohet se ka ndodhur ditë më parë pa u vërejtur nga askush, po hetohet në Vushtrri, pasi një kamion i një kompanie është gjetur me dëmtime që dyshohet se janë shkaktuar nga shpërthimi i një granate dore, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Rasti është raportuar më 11 maj 2026 rreth orës 11:30 në rrugën “Ajet Gerguri” në Vushtrri.

Tripika

Sipas informatave, ankuesi I. Hysa, menaxher në një kompani, gjatë inspektimit të hapësirës së biznesit kishte vërejtur se një kamion Mercedes me ngjyrë të bardhë kishte dëmtime të pazakonta në anën e djathtë.

Burimet bëjnë të ditur se në kamion ishin krijuar vrima në derë, në xham dhe në retrovizor, çka kishte ngritur dyshime serioze për përdorim të mjetit shpërthyes.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë relevante të Policisë së Vushtrrisë, të cilat pas ekzaminimeve fillestare kanë kërkuar asistencën e njësisë së deminimit.

Sinjali mëson se ekipi i deminimit ka arritur në lokacion rreth orës 15:45 dhe pas këqyrjes së vendit ka konstatuar se dëmtimet dyshohet të jenë shkaktuar nga shpërthimi i një granate dore të llojit M50 ose M52.

Sipas vlerësimit të ekspertëve, shpërthimi nuk kishte ndodhur së fundmi, por dyshohet se ishte i vjetër të paktën një deri në dy javë.

Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurorja e Shtetit, e cila ka urdhëruar inicimin e rastit “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Rasti po hetohet për të zbuluar se kur dhe nga kush është hedhur granata pranë kamionit të kompanisë.

 

 

Pellini