Active 2
02KOSOVËLAJME

Sindikata e Trepçës me akuza të rënda ndaj menaxhmentit: Minatorët po e paguajnë çmimin e keqmenaxhimit 26-vjeçar

Sindikata e Trepçës ka reaguar ashpër pas takimit me bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes, duke ngritur shqetësime serioze për gjendjen e minatorëve, kushtet e punës dhe trajtimin e tyre nga menaxhmenti i ndërmarrjes, njofton Mitropol.

Në një njoftim drejtuar minatorëve, sindikata ka bërë të ditur se takimi me bordin ishte kërkuar për të diskutuar situatën aktuale në Trepçë, përfshirë kushtet e rënda të punës, largimet nga puna pa procedura ligjore, mungesën e pagesës së trustit pensional dhe draft-rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës.

Dukato 1

Sipas sindikatës, megjithëse fillimisht ishte vlerësuar gatishmëria për zhvillimin e takimit, ata janë zhgënjyer nga mungesa e vullnetit për të gjetur zgjidhje konkrete për minatorët.

“Po u ngarkohet barra e keqmenaxhimit të ndërmarrjes tash e 26 vite. Përgjegjësinë dhe pasojat po i bartin minatorët, ndërsa nuk po kërkohet llogari nga ata që e keqmenaxhuan ndërmarrjen”, thuhet në reagimin e sindikatës.

Ata kanë përshkruar gjendjen në minierë si tejet të rëndë, duke theksuar mungesën e mjeteve të punës dhe rrezikun e vazhdueshëm për shëndetin e minatorëve.

“Çdo ditë po përballemi me një mikroklimë që po na grryen shëndetin nga brenda. Premtimet për ringritje po vazhdojnë, por gjendja e minatorëve vetëm po rëndohet”, thuhet më tej në reagim.

Sindikalistët kanë ngritur shqetësim edhe për largimet nga puna, të cilat sipas tyre po ndodhin pa procedura të rregullta, ndërsa kanë kritikuar ashpër mos-pagesën e trustit pensional që nga viti 2019, duke thënë se janë paguar vetëm disa periudha të shkurtra.

Në reagim theksohet se Trepça nuk mund të ringrihet pa investime direkte nga shteti, duke përmendur mungesën e pajisjeve, amortizimin e makinerive dhe mungesën e fuqisë punëtore.

“Trepça nuk ngritet me gjysmë kacie, me gjysmë bageri, me flotacion të hargjuar dhe me depo të zbrazura”, thuhet në deklaratë.

Një tjetër pikë e debatit ishte draft-rregullorja për pagat, për të cilën sindikata pretendon se është hartuar pothuajse pa përfshirjen e tyre.

Sipas tyre, pritjet e minatorëve kanë qenë që përmes kësaj rregulloreje të ketë ngritje pagash dhe rregullim të koeficientëve, pasi paga aktuale konsiderohet shumë e ulët për punën e rëndë që kryejnë minatorët.

Megjithatë, sipas sindikatës, përgjigjja e bordit ka qenë se nuk ka mjete financiare dhe se fillimisht duhet të rriten të hyrat e ndërmarrjes.

Në fund të reagimit, sindikata ka paralajmëruar se sapo të sigurojë draftin final të rregullores, do të organizojë një tubim me minatorët për t’i informuar lidhur me përmbajtjen e saj dhe për të vendosur nëse ajo është e pranueshme.

“Kryesia e sindikatës do të qëndrojë e bashkuar për të realizuar atë që minatorët e meritojnë”, përfundon njoftimi./Mitropol/

Active 1