Active 2
02KOSOVËLAJME

Raporti i Policisë rrëzon pretendimet për rrezikimin e eskortës së Kurtit në Skenderaj

Screenshot

Një ditë pas padisë për shpifje që kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, kishte ngritur ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, RTK-ja publikoi raportin zyrtar të Policisë së Kosovës lidhur me incidentin e ndodhur më 27 janar 2025, pas një tubimi elektoral në Skenderaj,shkruan Mitropol.

Sipas raportit, fillimisht ishte raportuar se një veturë kishte tentuar të hynte në mes të eskortës së kryeministrit, duke e rrezikuar atë gjatë lëvizjes në drejtim të fshatit Polac.

Premium Store

Pas shqyrtimit të videoincizimeve dhe zhvillimit të procedurave hetimore, policia konstatoi se vetura e përfshirë ishte kyçur në rrugë në mënyrë të vrullshme, por pa shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë për eskortën.

Në kuadër të hetimeve është intervistuar si dëshmitar Sami Lushtaku, i cili ka deklaruar se ishte nisur për në Prishtinë dhe ishte kyçur në rrugë me kujdes, pa penguar trafikun. Sipas raportit, deklarimi i tij përputhet me pamjet e kamerave të sigurisë.

Policia vlerësoi se në atë segment rrugor qarkullimi zhvillohet në dy shirita dhe se veprimet e drejtuesit të veturës nuk përbëjnë rrezikim të trafikut publik. Në konsultim me prokurorin e rastit, u konstatua se nuk ekzistojnë elemente të ndonjë vepre penale apo kundërvajtjeje, ndërsa rasti është mbyllur me shënim zyrtar për informim.

Raporti po ashtu evidenton se deklarata fillestare e një zyrtari të mbrojtjes së afërt, e dhënë përmes telefonit menjëherë pas ngjarjes, ndryshon nga raporti i tij i mëvonshëm me shkrim, megjithëse arsyet e këtij ndryshimi nuk janë sqaruar. Sipas RTK-së, lidhur me këtë çështje nuk është iniciuar ndonjë procedurë në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Active 1