“As sulm, as rrezikim”: Lushtaku publikon një pjesë të raportit të policisë pas akuzës së Kurtit për sulm ndaj eskortës së tij

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka publikuar një pjesë të një raporti të Policisë së Kosovës në lidhje me akuzën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se në janarin e vitit të kaluar, Lushtaku ishte përpjekur ta sulmonte me veturë eskorën e tij.
“As sulm, as rrezikim. Vetëm shpifje dhe gënjeshtër e Albin Kurtit” – shkroi Lushtaku në rrjetin “Facebook”.
Ai shtoi se në raport theksohet që nuk ka pasur “as sulm ndaj eskortës dhe as rrezikim të sigurisë në komunikacion”.
“Gjithmonë kam qëndruar drejt para Zotit, familjes dhe qytetarëve. Prandaj sot, faktet flasin vetë” – shtoi Lushtaku.
Ai paralajmëroi se Kurti do të përgjigjet para gjykatës “për këtë gënjeshtër publike dhe këtë shpifje të ulët”.








