Active 2
LAJME

“Shtëpia e tmerrit” në Serbi: Dokumentari ndërkombëtar zbardh lidhjet e mafias me Vuçiqin, si përdoren klanet kriminale për kontroll dhe tensione në Kosovë

Detaje rrëqethëse kanë dalë në dritë nga dosja investigative e rrjetit kriminal të Veljko Belivukut, i njohur si “Soprano”, i cili akuzohet për tortura, vrasje mizore dhe asgjësim të kufomave përmes makinave industriale të mishit. Përtej brutalitetit që të kujton skenarët e Hollywood-it, ky rast ka zbërthyer përfundimisht lidhjet e tmerrshme të mafias së Ballkanit me kupolën më të lartë të pushtetit në Serbi, të udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Ndonëse dosja zyrtare fokusohet në aleancat rajonale që shtrihen nga Mali i Zi në Bosnje, Kroaci e Slloveni, hije të forta dyshimi dhe operacionet e këtyre strukturave lidhen pashmangshmërisht edhe me tensionet dhe kontrollin politik që Beogradi zyrtar tenton të ushtrojë në Kosovë dhe tërë rajonin e trazuar të Ballkanit Perëndimor.

Pellini

Sipas një dokumentari investigativ të realizuar nga kanali i njohur ndërkombëtar Fern , i cili bazohet në dosjen e Prokurorisë për Krim të Organizuar në Serbi dhe të dhënat e rrjetit të njohur OCCRP, pas kësaj strukture fshihet një makineri e pastër politike. Në këtë dokumentar, fakte tronditëse shpalosen nga Stevan Dojçinoviq, kryeredaktor i portalit investigativ serb KRIK , i cili ka qenë në vijën e parë të frontit për zbulimin e këtij skandali.

Nga tribunat e stadiumeve te dhomat e torturës
Gjithçka nisi në stadiumet e Beogradit, ku grupe huliganësh si “Janichari” (më vonë të pagëzuar si “Principi”) nën drejtimin e Veljko Belivukut filluan të merrnin në kontroll terrenin. Siç shpjegon Dojçinoviq, ky grup shumë shpejt u shndërrua në krahun e djathtë të klanit famëkeq të drogës “Kavach” – një strukturë e përfshirë në një luftë të përgjakshme me rivalët e klanit “Scaljari”, konflikt ky që ka lënë mbi 100 të vrarë anembanë Europës.

Në periferi të Beogradit, në Ritopek, grupi ngriti një shtëpi të zakonshme nga jashtë, por që brenda fshihte një dhomë të tmerrit. Viktimat mashtroheshin nga njerëz të besuar, lidheshin, torturoheshin egërsisht dhe më pas copëtoheshin për t’u kaluar në një grirëse industriale mishi. Mbetjet hidheshin në lumin Danub , nën slloganin kriminal që përdorte kjo mafie: “Nëse nuk ka trup, nuk ka mundësi procedimi”.

“Shefi” dhe “Shefi i Madh”: Hierarkia e lidhjes me pushtetin
Zbulimi i komunikimeve të koduara në rrjetin e sigurt “Sky ECC” nga autoritetet franceze, holandeze dhe belge shkatërroi iluzionin e paprekshmërisë së kësaj mafie. Përveç fotografive horror të trupave të gjymtuar që vetë kriminelët i ruanin si trofe , aty u zbuluan biseda që implikojnë drejtpërdrejt shtetin serb.

Gazetari i KRIK, Stevan Dojçinoviq, zbërthen hierarkinë e zbardhur nga përgjimet.

Komunikimi me Xhandarmërinë: Belivuk ishte në kontakt të përditshëm me një zyrtar të lartë të Xhandarmërisë serbe (njësi paramilitare e policisë), i cili i jepte udhëzime dhe këshilla se si të vepronte.

Kupola e Policisë: Mesazhet dëshmojnë se ky zyrtar njoftonte për çdo gjë Dijana Hrkaloviqin, asokohe Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Punëve të Brendshme (numri dy i policisë serbe).

Kush janë “Bossi” dhe “Big Boss”? Në përgjimet e zbardhura, zyrtarët policorë deklaronin se për aksionet e huliganëve janë të informuar “Bossi” dhe “Big Boss”. Sipas Dojçinoviq, duke ndjekur logjikën e hierarkisë shtetërore, “Bossi” i referohet Ministrit të Brendshëm, ndërsa “Big Boss” është vetë presidenti Aleksandar Vuçiq.

Pasi u arrestua, vetë Belivuk dëshmoi para organeve të drejtësisë se grupi i tij ishte organizuar specifikisht për nevojat dhe me urdhër të Aleksandar Vuçiqit. Rolet e tyre ishin të qarta: të shtypnin protestat anti-qeveritare në rrugë, të ndalonin koret e tifozëve në stadiume kundër presidentit dhe të shërbenin si një “forcë brutale rruge” për të mbajtur regjimin në këmbë.

Ndikimi dhe hija mbi Kosovë dhe rajon
Ndonëse Vuçiq i ka mohuar akuzat , gazetarët investigativë të KRIK theksojnë se arrestimi i këtij grupi ndodhi vetëm pasi skandali mori përmasa ndërkombëtare dhe autoritetet europiane i dorëzuan Serbisë provat e pakontestueshme të “Sky ECC”. Vuçiq u detyrua t’i arrestonte sepse çështja u bë shumë e madhe ndërkombëtarisht.

Ky rast rikonfirmon metodologjinë e mirënjohur të Beogradit zyrtar. Përdorimi i strukturave kriminale, huliganëve të stadiumeve dhe grupeve me sfond paramilitar për qëllime politike nuk mbetet vetëm brenda kufijve të Serbisë. Këto të njëjta struktura hibride – ku kufiri mes policisë, krimit të organizuar dhe politikës është tërësisht i shkrirë – janë përdorur historikisht nga Beogradi për të krijuar tensione, për të kontrolluar veriun e Kosovës dhe për të destabilizuar rajonin sa herë që Vuçiqit i duhet të tërheqë vëmendjen nga skandalet e tij të brendshme apo korrupsioni galopant.

Sot, ndonëse grupi i Belivukut është pas hekurave, sistemi ka mbetur tërësisht i paprekur. Siç denoncon kryeredaktori i KRIK, Stevan Dojçinoviq, mu para zyrës presidenciale në Beograd, në një park të kthyer në një lloj kampi, Vuçiq mban të grumbulluar kriminelë me precedentë të rëndë penalë për trafik droge e dhunë, të cilët përdoren si “rore privatë” për të mbajtur protestuesit dhe të vërtetën larg tij. /Reporteri.net

Active 1