Aurora Group
KOSOVËLAJME

Përleshje me thika në Shalë – katër të rinj përfundojnë viktima, dy të dyshuar ndalohen

Një përleshje e dhunshme mes disa të rinjve ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Shalë të Lipjanit, ku si pasojë katër persona kanë pësuar lëndime, ndërsa dy të dyshuar kanë përfunduar në ndalim policor.

Rasti është raportuar rreth orës 20:20, kur katër të rinj nga Shala kanë kërkuar ndihmën e Policisë, duke deklaruar se ishin sulmuar pas një mosmarrëveshjeje me pesë persona.

Medi

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se në mesin e të lënduarve është edhe L. Sh, i cili ka pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë që dyshohet të ketë qenë thikë. Ai ka marrë trajtim mjekësor dhe posedon raport përkatës.

Lidhur me rastin, në stacion policor janë paraqitur dy të dyshuarit A. D dhe G. D, ndërsa tre persona të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në përleshje ende nuk janë identifikuar dhe janë në kërkim nga organet e rendit.

Gjatë hetimeve, Policia nuk ka arritur ta gjejë armën e ftohtë që dyshohet të jetë përdorur në incident.

Po ashtu, edhe njëri nga të dyshuarit, A. D, ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe posedon raport mjekësor për lëndimet e pësuara.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, A. D. dhe G.D janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e të dyshuarve të tjerë janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Weelnes