
Gjykata Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, përmes gjyqtarit të procedurës paraprake Xhemajl Jusufi ka marrë aktvendim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të pandehurit Arben Spasolli lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale: Vrasja e rëndë nga neni 173 par.1 nën par.1.8, Vrasja në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1 të KPRK-së, njofton Mitropol.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, dhe pas mbajtjes së seancës dëgjimore në praninë e prokurorit të shtetit, të pandehurit dhe mbrojtësit të tij.
Sipas aktvendimit të datës 29.05.2026, të pandehurit Arben Spasolli i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Koha e paraburgimit të pandehurit do t’i llogaritet nga data 27.05.2026 e deri me datë 26.06.2026.
Spasolli dyshohet se vrau Erduan Ibrahimin, 37 vjeçar duke e prerë me thikë në fyt gjersa poashtu i shkaktoi lëndime vëllaut të tij, Shaban Ibrahimi./Mitropol/








