Premium Store
KOSOVËLAJME

Shembull i keq: Bedri Hamza nuk distancohet nga kandidati për deputet i PDK-së që pengoi lirimin e pronës publike

Policia e Kosovës ka arrestuar sot kandidatin për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Qëndrim Kryeziu, gjatë një aksioni për rrënimin e një objekti të ndërtuar në një parcelë që figuron në pronësi të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, shkruan Mitropol.

Ngjarja ndodhi derisa autoritetet po zhvillonin operacionin për largimin e objektit të njohur si pompa “Patroni”. Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, Kryeziu kishte hyrë në hapësirën ku po zhvilloheshin punimet dhe kishte kundërshtuar vazhdimin e aksionit.

Premium Store

Deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim publik nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, lidhur me përfshirjen e kandidatit të partisë së tij në këtë incident. Rasti ka nxitur reagime edhe për faktin se ndodh në kohë fushate zgjedhore, periudhë në të cilën subjektet politike zakonisht kërkojnë të promovojnë respektimin e rendit dhe ligjit.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, zyrtarët policorë i kishin kërkuar disa herë Kryeziut të largohej nga zona ku po realizohej aksioni, mirëpo ai kishte insistuar të shihte dokumentacionin përkatës për rrënimin e objektit, për të cilin kishte deklaruar se lidhet me familjarë të tij.

Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë ka bërë të ditur se aksioni për rrënimin e objekteve në atë parcelë është ndërmarrë me vendim të ministrit në detyrë, Armend Muja.

Në njoftimin zyrtar të ministrisë thuhet se bëhet fjalë për një pronë prej 1.2 hektarësh që administrohet nga MBPZhR-ja dhe se qëllimi është kthimi i saj në funksion publik. Po ashtu, është theksuar se gjatë ditës është zbatuar edhe një vendim gjykate që lidhet me këtë çështje, në përputhje me procedurat ligjore.

Sipas planifikimeve institucionale, në atë hapësirë parashihet të ndërtohet objekti i ri i Ministrisë së Bujqësisë, si dhe të krijohet një zonë e gjelbër për nevoja publike.

Ministri në detyrë, Armend Muja, ka deklaruar se institucionet do të vazhdojnë të veprojnë kundër uzurpimit dhe shfrytëzimit të paligjshëm të pronës publike, duke theksuar se mbrojtja e interesit publik mbetet prioritet institucional.

Koha