16 vjeçari me prejardhje nga Kosova në kërkim evropian, dyshohet se plagosi një polic në Gjermani

Pas të shtënave me armë zjarri ndaj një polici në Göttingen, hetuesit po kërkojnë një të dyshuar 16-vjeçar. Ai dyshohet se e ka qëlluar policin gjatë një përballjeje midis klaneve rivale.
Incidenti ndodhi të shtunën në mbrëmje në zonën e Weender Landstraße/Weender Tor.
Sipas policisë, dy familje të gjera rivale, të dyja të njohura për policinë, po përlesheshin atje. NDR raporton se familja e të dyshuarit 16-vjeçar është nga Kosova.
Një urdhër arresti evropian është lëshuar për adoleshentin me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, tha një zëdhënës i zyrës së prokurorit publik për n-tv/dpa dhe NDR. Nuk është e qartë nëse i dyshuari është ende në Gjermani apo është arratisur tashmë jashtë vendit.
Polici u plagos rëndë dhe u dërgua në spital. Ai mbetet në kujdes intensiv, por jeta e tij nuk konsiderohet më në rrezik.
Ai që qëlloi iku nga vendi i ngjarjes pas të shtënave. Policia menjëherë nisi një kërkim në shkallë të gjerë, duke përfshirë përdorimin e një helikopteri policie. Zona përreth Weender Tor ishte e rrethuar; sipas policisë, nuk kishte rrezik për publikun.
Arsyet e grindjes janë ende nën hetim. Arma e përdorur në incident nuk është gjetur ende.








