LAJMI I FUNDIT: Serbia mobilizon ushtrinë për “Vidovdan”, simbolikë që ngre shqetësime në Kosovë

Ushtria e Serbisë do të organizojë një stërvitje ushtarake në poligonin “Pasuljanske Livade” më 28 qershor të këtij viti, ditë kjo që përkon me Betejën e Kosovës, apo të ashtuquajturën nga serbët “festë e Vidovdanit”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka përshkruar këtë stërvitje si më të rëndësishmet deri më tani për Serbinë, ku edhe do të prezantohet armatimi më i ri i ushtrisë serbe.
Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Siguri, Mentor Vrajolli, ka thënë për KosovaPress, se nuk sheh ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë për Kosovën nga ushtrimi që pritet të mbahet më 28 qershor në poligonin “Pasuljanske Livade”.
Por Vrajolli tha se sheh rrezik nga simbolika e cila reflekton një mesazh tjetër politik, që Serbia edhe më tutje e ka si ambicie afatmesme apo afatgjate të një konflikti në Kosovë.
“Nuk shoh ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë për datën në fjalë, por shoh rrezik nga simbolika e cila reflekton një mesazh tjetër politik që Serbia edhe më tutje e ka si ambicie afatmesme apo afatgjate një konflikt të drejtpërdrejtë në Kosovë apo agresion drejtpërdrejt Kosovës, gjë që e bën shqetësuese të ardhmen afatmesme apo afatgjate të Kosovës e që në një formë i legjitimon nevojat e Kosovës që të ndërtojë një sektor të mbrojtjes stabile. Ajo që mbase në plan afatshkurtër është që Serbia veçse i ka marrë disa mesazhe mjaft të qarta edhe nga BE-ja dhe NATO që sulmi në Banjska është përgjegjësi e tyre dhe ata duhet t’i dorëzojnë personat që kanë qenë të përfshirë dhe nuk shoh që kjo datë mund të evoluoj në një kërcënim të drejtpërdrejtë por duhet të fokusohemi më tepër në aspektin simbolik”, tha Vrajolli për KosovaPress.
Ai tha se bashkësia ndërkombëtare duhet t’i dergojë mesazhe Serbisë dhe t’i bëhet e qartë se eskalimi i mundshëm i situatës në Kosovë do të ketë pasoja të drejtpërdrejta për ata.
Në lidhje me ushtrimin ushtarak serb dhe kërcënimet që mund t’i vijnë Kosovës nga kjo ngjarje, për KosovaPress ka folur edhe ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli, i cili tha se i druhet këtij ushtrimi ushtarak të Serbisë, pasi është rast për ndonjë agresion të mundshëm.
“Sa i përket ushtrimit ushtarak që është më 28 qershor, ata që e kanë Vidovdanin, ne që jemi moshë më e vjetër e dimë Vidovdanin e 89-ës kur pat ardhur Millosheviqi në Prishtinë. Personalisht e kam parë. Konsideroj që do të nevojitet një analizë shumë e madhe e sektorit të sigurisë, kontaktet me partnerët ndërkombëtarë sepse i druhem këtij ushtrimi ushtarak. Të gjitha atyre njësive që ata siç mora vesh do të i angazhojnë në atë ushtrim, është rast, rast, mundësi për ndonjë agresion të mundshëm. Po kjo nevojitet, një analizë më, më e hollësishme”, tha Veseli për KosovaPress.
Veseli shtoi se presidenti serb, Vuçiq, do të bëjë gjithçka që ta tërheq vëmendjen nga lëkundja, që po i bëhet pushtetit të kreut të shtetit serb, derisa tha se kjo paraqet rrezik të madh për Kosovën.
Përndryshe, Kisha dhe politika serbe e kanë instrumentalizuar Betejën e Kosovës ndër vite.
Data 28 qershor shënon zhvillimin e Betejës së Kosovës, ku koalicioni i ushtrive të popujve të Ballkanit pësoi humbje nga Perandoria Osmane. Pas kësaj humbjeje, popujt e Ballkanit u pushtuan nga otomanët ose u detyruan të bëhen vasal të sulltanit. Princërit shqiptarë vazhduan të luftojnë e më i shquari ndër ta ishte Skenderbeu. Serbia u bë pjesë e Perandorisë Osmane.
Beteja e Kosovës u zhvillua më 28 qershor (15 qershor sipas kalendarit të vjetër), 1389 në Fushën e Kosovës, midis koalicionit të ushtrive të popujve të Ballkanit, të prirë nga princi Lazar dhe forcave otomane të udhëhequra nga sulltani Murati I (mbretëroi 1360–89). Beteja ishte e ashpër dhe në të u vranë të dy liderët, Princi Llazar dhe Sulltan Murati, si dhe shumë princër tjerë. Të dy ushtritë gati se u zhdukën fare.
Por, Perandoria Otomane kishte resurse të ngrinte një ushtri të re, për kohë më të shkurtër. Popujt e Ballkanit nuk kishin mundësi të merrnin veten shpejtë dhe shumica prej tyre përfundimisht ranë nën sundimin Otoman.
Nuk ka shumë të dhëna për Betejën e Kosovës e madje shumica e këtyre të dhënave janë kontradiktore me njëra tjetrën.
Prandaj, kjo ngjarje sot më shumë dihet për nga mitet rreth saj se nga faktet historike.
Nën sundimin e Sulltan Muratit I, otomanët e zgjeruan sundimin e tyre nga Anadolli në Ballkan. Në verën e vitit 1389, Sulltan Murati arriti në Kosovë ku u përball me koalicionin e princave.
Ndonëse beteja përshkruhet si betejë mes serbëve dhe turqëve apo mes të krishterëve dhe myslimanëve, faktet thonë krejt të kundërtën.
Në njërën anë ishin otomanët, ushtria e të cilëve përbëhej edhe nga ushtarë të popujve e princërve vasalë të tyre, përfshirë edhe të krishterë.
Në anën tjetër ishte një koalicion i princave të popujve të Ballkanit, ndër ta edhe shumë princa shqiptarë.
Dihet se në betejë është vrarë Princi Llazar, por nuk dihet për rrethanat në të cilat është vrarë. Princi tjetër serb, Vuk Brankoviq, duke parë se beteja nuk mund të fitohej dhe duke ditur se duhej të shpëtonte sa më shumë ushtarë që të mundet, u tërhoq nga beteja. Në tregimet serbe, Brankoviq cilësohet si tradhtar dhe tradhtia e tij si shkas për vdekjen e Princit Lazar.
Në betejë është vrarë edhe Sulltan Murati I, të cilin besohet se e ka vrarë Milosh Obiliqi, një nga heronjtë kryesorë në tregimet dhe legjendat për Betejën e Kosovës.
Vitin e kaluar, qytetarë serbë të Kosovës por edhe ata të ardhur nga Serbia e festuan “Vidovdanin” në Gazimestan, ku udhëheqësit fetarë i kushtuan himne dhe këngë Shën Vitusit dhe martirëve të betejës.
Aktiviteti nuk u përcoll me incidente të mëdha, përveç shoqërimit në polici të dy pjesëmarrësve për t’i identifikuar dhe një rasti tjetër, ku një politikan serb u shoqërua jashtë hapësirave ku po mbahej manifestimi, pasi s’i ndoqi urdhrat e Policisë së Kosovës.








