Pamje dramatike nga Podujeva – i dyshuari në skenën e krimit, ndërhyn me armë polici civil

Një polic i veshur me rroba civile e ka neutralizuar një person ndërsa po e sulmonte fizikisht një person tjetër në qendër të Podujevës, ku dyshohet për disa të plagosur.
Ngjarja e incizuar nga dëshmitarë okularë, të cilën e ka publikuar portali Indeksonline, shfaq personin e dyshuar derisa neutralizohet me armë zjarri nga një polic i veshur me rroba civile.
I dyshuari, një burrë, shfaqet në pamje duke sulmuar fizikisht një person tjetër. Prapa tyre ndodhet një person i shtrirë në tokë. Dyshohet se është i plagosur.
Disa persona dyshohet se janë plagosur nga të shtënat me armë në Podujevë të enjten pasdite.
Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe e kanë rrethuar skenën e krimit.
Së paku tri autoambulanca janë parë në vendin e ngjarjes. Ato kanë transportuar në spital të lënduarit.








