
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku dy vëllezërit Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe i akuzuari tjetër Igor Dimoviq, ngarkohen lidhur me akuzën për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, të enjten ka nisur shqyrtimi gjyqësor.
Në këtë seancë janë praqitur edhe disa nga provat që posedon trupi gjykues.
Prokurori Bekim Kodraliu gjatë dhënies së fjalës hyrëse në gjykimin ndaj të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, tha se ekspertët e FBI-së kanë analizuar dheun në çizmet e të akuzuarve me atë në vendin e ngjarjes.
“Ekspertët e FBI-së kanë analizuar mostrat e baltës dhe të dheut të mara nga çizmet e dy të pandehurve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, dhe ato mostra i kanë krahasuar edhe me mostrat e dheut të siguruara në vendin e ngjarjes e po ashtu edhe në tri vende të tjera të ndryshme me qëllim që të vërtetohet saktësia e baltës së gjetur në çizmet e të pandehurve”, tha Kodraliu.
Sipas prokurorit, konkluzionet e ekspertëve tregojnë se mostrat e dheut në çizmet e dy të akuzuarve ishin me karakteristika të njëjta me ato të dheut në vendin e ngjarjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Konkluzioni i ekspertëve të FBI-së se mostrat e çizmeve të të pandehurve për dallim me tri vendet e tjera, nuk paraqesin dallime për nga ngjyra, struktura, përbërja minerale dhe karaktersitikat tjera fizike të dheut të marrë në vendin e ngjarjes me dheun e gjetur në çizmet e të pandehurve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, por ka dallueshmëri me mostrat e dheut të marra në tri lokacione të tjera, e që do të vërtetohet para jush se të pandehurit kanë qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit”, shtoi ai.











