LAJMI I FUNDIT: Faton Peci vazhdon kapjen e ndermarrjeve: Drejtimin e Stacionit të Autobusëve ia beson ish kandidates së GUXO-s, Blerta Çelikut

Qeverisja komunale në Mitrovicë ka bërë një tjetër lëvizje në drejtimin e “kapjes” së ndërmarrjeve publike lokale.
Blerta Çeliku është emëruar ushtruese e detyrës së kryeshefes së Ndërmarrjes Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve” në Mitrovicë.
Çeliku, ishte kandidate për Asamblenë Komunale nga radhët e subjektit politik GUXO në zgjedhjet lokale, ndërsa tash i është besuar drejtimi i një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme publike në qytet.

Por, siç mëson “Mitropol”, e njejta, para se të rreshtohej krah Pecit, ishte më parë pjesë e strukturave të PDK-së.

Ky emërim vjen pak ditë pasi Komisioni Komunal i Aksionarëve kishte emëruar Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të Stacionit të Autobusëve me persona të lidhur me Guxo-n dhe Pecin.
Sipas burimeve të Mitropol, vendimi për emërimin e Çelikut është marrë nga struktura drejtuese e ndërmarrjes, me mbështetjen e qeverisjes aktuale komunale të udhëhequr nga kryetari Faton Peci.
Ky emërim pritet të ngjallë reagime politike, veçanërisht nga opozita lokale, e cila vazhdimisht ka ngritur akuza për ndikim politik në ndërmarrjet publike komunale.
Mes tjerash, sot është emëruar edhe Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të NPL “Tregu”. Të gjithë drejtorët e emëruar janë figura me prapravijë politike.
Mes emrave të emëruar është një ish-kandidat i GUXO-s që dështoi të siguroj votat për Asamble, dy anëtarë të partive të koalicionit dhe një ish-drejtor komunal./Mitropol/








