Medi
02KOSOVËLAJME

Arrestohen 3 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për dallavere me lejeqëndrime

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe anashkalim të procedurave ligjore.

Përmes një reagimi, Sveçla ka bërë të ditur se të arrestuarit përfshijnë dy zyrtarë të Divizionit për të Huaj, një zyrtar të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetas të huaj.

Tripika

Sipas tij, ekziston dyshimi se personat e përfshirë, gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare dhe ndërmjetësuese, kanë kryer shërbime ndaj palëve duke anashkaluar procedurat ligjore, me qëllim të përfitimit financiar.

“Mirëpres aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili rezultoi me arrestimin e dy zyrtarëve të Divizionit për të Huaj, një të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetasi të huaj, për të cilët ekziston dyshimi se në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare e ndërmjetësuese dhe me qëllim të përfitimit financiar, kanë kryer shërbime ndaj palëve duke anashkaluar procedurat ligjore”, ka deklaruar Sveçla.

Ministri në detyrë i MPB-së ka theksuar se institucionet mbeten të përkushtuara ndaj integritetit, ligjshmërisë dhe llogaridhënies së çdo zyrtari publik.

“Çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, korrupsion apo cenim të besimit të qytetarëve do të trajtohet me seriozitet të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përgjegjëse të sigurisë dhe drejtësisë”, ka thënë ai.

Sveçla ka shtuar se luftimi i korrupsionit dhe garantimi i integritetit institucional janë parakushte për ofrimin e shërbimeve të drejta, efikase dhe transparente për qytetarët.

“Askush nuk do të lejohet të përdorë pozitën zyrtare për përfitime personale në dëm të interesit publik dhe të drejtave të qytetarëve për trajtim të barabartë para institucioneve”, ka përfunduar Sveçla.

Koha