
Pa njoftim paralajmërues, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen ka takuar në Qeverinë e Kosovës kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Në një njoftim të Qeverisë, është bërë e ditur se çështja e “pishmanit” të serbëve që ishin dorëhequr nga institucionet e Kosovës më 2022 ka qenë temë e ngritur në takim nga Sorenseni.
Të premten, Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mungesë kuorumi nuk vendosi për kërkesën për dhënien epilog ndaj dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë më 2022 dhe kërkesën e bërë së fundmi nga ta për t’i tërhequr këto dorëheqje. E ditë më parë, Këshilli Prokurorial i ka pranuar dorëheqjet. Vendimi u dekretua nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Vendimi nxiti reagim ndërkombëtar.
Në njoftimin e Qeverisë për diskutimin mbi këtë çështje me Sorensenin, u tha se Kurti ka bërë të ditur se Qeveria afirmon dhe insiston në barazi për të gjithë qytetarët dhe përfshirje të të gjitha komuniteteve.
“Të punësuarit në institucionet e Republikës, janë dhe duhet të jenë nga të gjitha etnitë, e të karakterizohen nga kompetenca profesionale dhe integriteti etik, përfshirë këtu policinë, gjyqësorin e prokurorinë e shtetit. Dorëheqjet kolektive të para katër viteve në veri të Ibrit kishin pikërisht si synim rrënimin e përbërjes shumetnike të sistemit tonë demokratik. Tani, rruga përpara është ajo që e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e cila në rastin e sistemit gjyqësor nënkupton ruajtjen e shumetnisë, por njëkohësisht edhe garantimin e pavarësisë dhe cilësisë së drejtësisë”, thuhet në njoftim të Qeverisë.
Sipas njoftimit, në takim u diskutuan zhvillimet në raport me Bashkimin Evropian, situata në rajonin e Ballkanit perëndimor si dhe çështjet e dialogut: momenti aktual në këtë proces e pikëpamjet rreth rrugës përpara. Për këtë çështje, Kurti ka thënë se Kosova i përmbahet angazhimit konstruktiv dhe se punon e synon paqe të qëndrueshme, siguri euroatlantike, stabilitet afatgjatë e fqinjësi të mirë evropiane.
“Në takim u adresuan edhe tema të tjera aktuale nga procesi i dialogut, duke potencuar rëndësinë e respektimit dhe mosshkeljes së Marrëveshjes Bazike të Brukselit e të Aneksit të Zbatimit të Ohrit”, përfundoi komunikata e Qeverisë.
E më herët gjatë ditës, në mbledhjen e Qeverisë, Kurti u shpreh se rikthimi i serbëve të dorëhequr nuk lejohet me ligj. Udhëheqësit e shtetit i kanë cilësuar dorëheqjet si akt politik të nxitur nga Serbia. Kurti ka thënë se braktisja e organizuar dhe politikisht e motivuar e institucioneve të Kosovës nga pjesëtarë të komunitetit serb, në fund të vitit 2022, ishte pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit.
“Qysh atëherë, e kemi thënë dhe u kemi bërë thirrje të gjithë serbëve në institucione: Mos i braktisni ato, mos jepni dorëheqje, mos shkoni. Por, nuk u kemi thënë e as nuk kemi të drejtë t’u themi, kthehuni. Kishim të drejtë politike t’ju themi, mos shkoni. Por, nuk kemi të drejtë kushtetuese e ligjore t’ju themi, kthehuni”, ka thënë Kurti. “Largimi i tyre ka qenë akt politik, individual, ndonëse i organizuar, por kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese. Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset kushtetutës e ligjit, veçmas kur braktisja ishte një akt sabotimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë”.
Ai ka rikujtuar se në këtë linjë, sipas kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, këto dorëheqje i ka trajtuar kohë më parë Policia e Kosovës dhe ditë më parë edhe Këshilli Prokurorial.
“Ndërkaq, sot teksa prisnim që edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës të vepronte njësoj, kuptuam që mbledhja dështoi në mungesë kuorumi. Presim që në mbledhjen e radhës të marrë epilog të atillë edhe kjo çështje”, ka theksuar Kurti.
Ndërkombëtarët kanë këmbëngulur që prokurorët e gjyqtarët serbë të dorëhequr, të mund të kthehen tash, kur kanë deponuar njoftimet për tërheqje të dorëheqjeve.
Më 21 korrik, përmes një deklarate nga zëdhënësja në Bruksel, BE-ja ka shprehur “shqetësim” për vendimin e Këshillit Prokurorial për t’ua pranuar dorëheqjet personelit serb. BE-ja ka shprehur shqetësim edhe për dekretimin e vendimit nga Haxhiu.
Të enjten, kjo zyrë u bëri thirrje partive politike që “të përmbahen nga presioni” mbi Këshillin Gjyqësor lidhur me vendimmarrjen për kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë. Reagimi i BE-së u bë pas postimeve të disa deputetëve të partisë në pushtet lidhur me KGJK-në.
Për t’iu kundërvënë vendimeve të qeverisë, në 2022-n në Këshillin Gjyqësor ishin dorëzuar 144 dorëheqje, prej të cilave 25 nga gjyqtarët, ndërsa në Këshillin Prokurorial 33 dorëheqje, përfshirë 10 të prokurorëve.
Procesi i integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë në Kosovë ishte nisur me marrëveshjet në Bruksel.
E në Polici e kanë bërë të qartë se nuk do të mund të bartin më uniformën, ata që e kishin zhveshur katër vjet më parë.
Të gjithë ishin dorëhequr pas shkarkimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, që pati refuzuar ta zbatonte vendimin e Qeverisë për ndalimin e targave ilegale serbe./KOHA/








