Faton Peci s’e mbanë fjalën, Komuna refuzon ta financojë organizatën e personave me sindromin Down, financoi 47 organizata tjera

Komuna e Mitrovicës ka refuzuar ta mbështesë financiarisht shoqatën “Down Syndrome Kosova” në kuadër të thirrjes publike për financimin e projekteve sportive për vitin 2026, duke arsyetuar vendimin me faktin se organizata nuk është e regjistruar në Mitrovicë, njofton Mitropol.
Dokumentet e siguruara nga Mitropol tregojnë se Kryetari i Komunës, Faton Peci, më 26 maj 2026 kishte shpallur thirrjen publike për mbështetjen financiare të OJQ-ve, klubeve kolektive, klubeve individuale dhe shoqatave sportive. Sipas vendimit, fondet do të ndaheshin nga buxheti i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ndërsa aplikimet do të vlerësoheshin nga një komision i posaçëm në bazë të kritereve të përcaktuara në thirrjen publike.
Procesverbali i komisionit tregon se më 3 korrik 2026 janë shqyrtuar 51 aplikime, prej të cilave 47 janë financuar, ndërsa katër janë refuzuar. Në total, komisioni ka bërë ndarjen e 176,100 eurove për organizatat dhe klubet sportive.
Pjesën dërrmuese të buxhetit e kanë përfituar klubet sportive të qytetit. KB Trepça është mbështetur me 20 mijë euro, KF Trepça ’89 dhe KF Trepça me nga 15 mijë euro, ndërsa KH Trepça, Klubi i Xhudos “Trepça”, KB Trepça (femrat) dhe KF Mitrovica janë ndër përfituesit me shuma nga 10 mijë euro. Në listë figurojnë edhe dhjetëra klube, shoqata dhe organizata të tjera me mbështetje financiare që varion nga 1,000 deri në 5,000 euro, në varësi të projekteve të paraqitura.

Megjithatë, në mesin e aplikimeve të refuzuara figuron edhe “Down Syndrome Kosova”, e cila kishte aplikuar me projektin “Sporti gjithëpërfshirës”.

Arsyeja e vetme e dhënë nga komisioni për mosmbështetjen e këtij projekti është se organizata “nuk është e regjistruar në Mitrovicë”.
Ky arsyetim ka tërhequr vëmendje, pasi “Down Syndrome Kosova” prej vitesh ushtron aktivitet të rregullt në Mitrovicë, ku disponon një qendër të saj dhe zhvillon vazhdimisht aktivitete me fëmijë, të rinj dhe persona me Sindromën Down. Qendra shërben si hapësirë për edukim, rehabilitim, socializim dhe zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme, ndërsa frekuentohet rregullisht nga përfituesit dhe familjet e tyre.
Përmes kësaj qendre janë organizuar vazhdimisht aktivitete sociale, edukative, sportive dhe ndërgjegjësuese, duke e bërë atë një nga organizatat më aktive në ofrimin e shërbimeve për personat me Sindromën Down në rajonin e Mitrovicës.
Pavarësisht këtij aktiviteti shumëvjeçar në qytet, komisioni vlerësues ka konstatuar se organizata nuk e plotëson kriterin e regjistrimit në Mitrovicë dhe, për këtë arsye, nuk e ka futur në listën e 47 përfituesve të subvencioneve.
Nga ana tjetër, procesverbali tregon se tre aplikime të tjera janë refuzuar jo për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore, por sepse kishin tejkaluar shumën maksimale të lejuar sipas thirrjes publike.
Dokumentet e siguruara nga Mitropol nuk japin sqarime shtesë nëse komisioni ka shqyrtuar ndikimin e aktivitetit të organizatës në Mitrovicë apo faktin se ajo ofron shërbime të vazhdueshme për qytetarët e komunës, duke u mjaftuar vetëm me konstatimin se aplikuesi nuk është i regjistruar në territorin e Mitrovicës. Ky kriter rezultoi vendimtar për refuzimin e projektit “Sporti gjithëpërfshirës”, ndonëse organizata vazhdon prej vitesh të jetë e pranishme dhe aktive në qytet.
Megjithatë, gjatë fushatës zgjedhore, në vizitën që Peci i bëri kësaj organizate më 21 shtator 2025, Peci premtoi se ai si kryetar do të siguronte mbështetje të qëndrueshme profesionale përmes angazhimit të logopedit, psikologut dhe punëtorit social.
“Ky është një hap i domosdoshëm për të krijuar kushte më të mira zhvillimi, integrimi dhe mirëqenieje për fëmijët tanë. Bashkë për zhvillim e mirëqenie të fëmijëve!”, shkruante atëbotë Peci, por Drejtoria e tij për Kulturë, Rini dhe Sport, refuzoi ta përkrahte financiarisht projektin për sport gjithpërfshirës të kësaj shoqate.
E tek në seancën e para tri ditëve, në Kuvendin Komunal të Mitrovicës u miratua një mbështetje simbolike prej 500 eurosh për “Down Syndrome Kosova”, para këto që mbulojnë veç shpenzimet e pagës minimale për një punonjës, gjë që është larg premtimit të Pecit se do siguronte mbështetje të qëndrueshme profesionale përmes angazhimit të logopedit, psikologut dhe punëtorit social./Mitropol/








