
I dyshuari i tretë për krime lufte në Zubin-Potok, akuzohet se ka marrë pjesë në maltretimin e më pas ekzekutimin e 23 intelektualëve shqiptarë. Sipas versionit të prokurorisë që përshkruhet në vendimin për paraburgim që e ka marrë Gjykata, Radojeviq bashkë me të tjerë fshehën trupat e viktimave në dy varreza masive, që u zbuluan brenda një jave.
I arrestuari i tretë në Zubin-Potok, Jugosllav Radojeviq, dyshohet se me persona të tjerë është mobilizuar për vrasjen e më pas fshehjen e trupave të pajetë të 23 intelektualëve shqiptarë, që në prill të 1999-s u ndaluan dhe u ekzekutuan derisa ndodheshin rrugës për në Mal të Zi.
Roli i tij përshkruhet në vendimin që ka marrë gjykata për masë paraburgimi, e një kopje të të cilit e ka siguruar KOHA.
Mbështetur në të, Radojeviq ka qenë pjesëtar i Mbrojtjes Territoriale Ushtarake të ish-Jugosllavisë. Ai bashkë me të tjerët dyshohet se, pas ekzekutimit, i kanë varrosur viktimat në dy varrezat masive, të zbuluara së fundmi.
“Me qëllim të fshehjes së krimit, në bashkëkryerje me të dyshuar të tjerë të identifikuar, i kanë varrosur viktimat në fundin e një livadhi te vendi i quajtur Melaja, në fshatin Kalludra e Vogël, afër lumit me qëllim që t’i fshehin gjurmët e krimit. Ndërsa më datën 18.04.1999, janë vrarë edhe S.F., S.F., D.I dhe R.I., me armë zjarri. Të njëjtët pasi i kanë vrarë dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë i kanë varrosur në fshatin Jabukë të Zubin-Potokut”, ka thënë prokurorja Florije Salihu-Shamolli para gjykatës.
Prokuroria ka treguar edhe versionin e dëshmitarit me inicialet M. F., i cili i ka mbijetuar krimit: Atë fillimisht e kanë sulmuar dhe pastaj e kanë urdhëruar që t’i vërë duart mbrapa kokës që të vazhdojë në drejtim të malit, e më pas të pandehurit kanë shtënë me armë në drejtim të tij, duke i shkaktuar plagë në kokë dhe kraharor.
“Në atë moment viktima rrëzohet dhe humb vetëdijen, por dëgjon krismën e armëve, dhe kur i kthehet vetëdija e vëren se familjarët dhe policia nuk ishin në vendin e ngjarjes. Vazhdon në gjendje të rëndë duke u futur në male dhe duke e vazhduar rrugën deri në fshatin Germov, ku merr ndihmën e parë nga një kushërirë e tij, e cila me profesion ishte teknike medicinale”, ka thënë prokurorja Salihu-Shamolli.
E pretendimet e Prokurorisë, në seancën dëgjimore i ka kundërshtuar avokati Nebojsha Vllajiq që e mbron Radojeviqin.
“Sa i përket arsyes për paraburgim dyshimi i bazuar nuk ekziston. Ne nuk e kemi as dëshminë se Jugosllavi ka qenë aty. I vetmi fakt që prokuroria thirret është deklarata e ndonjë dëshmitari anonim. Prokurorja thotë se deklarata është e njohur për të dhe gjykatën, për mua nuk është e njohur, ju duhet të më tregoni atë mua, ajo është fakt vendimtar”, ka thënë ai.
Si avokati ka folur edhe i pandehuri Radojeviq.
“Pajtohem me të gjitha thëniet e avokatit tim. Kam shumë çka të tregoj, por ta keni parasysh faktin se deri në vitin 2008 nuk kam qenë shtetas i Kosovës”, ka thënë Radojeviq.
Të hënën, Gjykata Themelore në Prishtinë ia caktoi një muaj paraburgim Radojeviqit, që dyshohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, të kryera në komunën e Zubin-Potokut.
Përveç, tij, javën e kaluar u arrestuan edhe dy të dyshuar të tjerë për të njëjtën vepër penale. Menjëherë pas arrestimit, të martën e javës së shkuar u zbulua varrezë masive në fshatin Kalludër të Zubin-Potokut, ndërsa të dielën edhe në Jabukë të kësaj komune.








