Aquapark 1
KOSOVËLAJME

DETAJE PËR SPIUNIN Prokuroria dyshon: Pozita në Zyrën e Presidentit i mundësoi Saliut qasje në informacione të ndjeshme

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Fehim Salit, i dyshuar për veprën penale të “spiunazhit”, sipas një kërkese drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, të cilën e ka parë VOX Kosova.

Sipas dokumentit të datës 13 gusht 2026, Prokuroria Speciale pretendon se Sali ka vepruar në interes të Shërbimit Informativ të Republikës së Serbisë, BIA, duke ofruar informacione dhe ndihmë për këtë shërbim.

SultanDoner

 Në kërkesën për paraburgim thuhet se i dyshuari është arrestuar më 13 gusht 2026, rreth orës 06:30, ndërsa ndaj tij është ngritur dyshimi për veprën penale të “Spiunazhit”, të paraparë nga neni 124 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Një pjesë e veçantë e kërkesës së Prokurorisë lidhet me pozitën që Sali kishte ushtruar në kuadër të Zyrës së Presidentit të Kosovës. Në arsyetimin për caktimin e paraburgimit, Prokuroria Speciale thotë se kjo pozitë mund t’i ketë mundësuar të dyshuarit qasje në informacione të ndjeshme dhe kontakte me persona të ndryshëm me rëndësi për funksionimin e institucioneve shtetërore.

Sipas Prokurorisë, Sali dyshohet se ka pasur kontakte të vazhdueshme me persona të lidhur me institucionet e Serbisë dhe se ka ofruar informacione me interes për BIA-n. Në dokument përmendet edhe Zhelimir Matoviq, të cilin Prokuroria e përshkruan si zyrtar të BIA-s dhe me të cilin i dyshuari dyshohet se ka komunikuar.

Prokuroria e lidh këtë rrethanë edhe me vlerësimin e rrezikut të përsëritjes së veprës penale. Sipas saj, duhet të merret parasysh mundësia që i dyshuari, për shkak të pozitës që ka ushtruar në Presidencë, të ketë pasur qasje në informacione dhe kontakte që mund të jenë me rëndësi për institucionet e shtetit.

Në dokument, Prokuroria thekson se pozita politike e të dyshuarit në kuadër të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës “mund t’i ketë mundësuar qasje në informacione të ndjeshme dhe kontakte me persona të ndryshëm me rëndësi për funksionimin e institucioneve shtetërore”.

Kjo rrethanë, sipas Prokurorisë, duhet të merret parasysh bashkë me situatën aktuale të sigurisë dhe rrethanat në të cilat pretendohet se është kryer vepra penale.

Në kërkesë thuhet gjithashtu se gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë të dhëna nga telefonat dhe materiale të tjera. Prokuroria pretendon se gjatë kontrolleve janë gjetur katër telefona, dokumente relevante dhe rreth 40 mijë euro, të cilat sipas saj lidhen me aktivitetin e dyshuar në favor të BIA-s.

Prokuroria përmend edhe rrezikun e arratisjes, duke theksuar se i dyshuari ka shtetësi të Republikës së Serbisë, e frekuenton territorin e saj dhe se, sipas saj, ekziston mundësia që të arratiset atje. Për këto arsye, Prokuroria Speciale ka kërkuar që ndaj Fehim Salit të caktohet paraburgimi për 30 ditë, duke vlerësuar se masat alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për sigurimin e pranisë së tij në procedurë, parandalimin e ndikimit në prova dhe garantimin e zhvillimit të hetimeve.

Aquapark 2