Aquapark 1
KOSOVËLAJME

Spiunoi për CIA-n në luftën kundër terrorizmit: Kosovari që pretendon se infiltroi Al Qaedën, lufton dëbimin nga SHBA’ja

Blerim Skoro, 55 vjeçari nga Kosova, i cili është arrestuar nga Zyra e Migracionit amerikan (ICE) në New Jersey dhe tash po lufton me disa avokat dëbimin nga SHBA-ja.

Historia e tij është goxha e pazakontë. Skoro thotë se erdhi në Amerikë në vitin 1994, pasi ishte larguar nga regjimi i atëhershëm jugosllav, duke treguar se ishte rrahur e torturuar dhe se kishte parë vrasje e përdhunime të fëmijëve gjatë asaj kohe.

Në vitin 2000, ai u arrestua për trafik droge. Por pikërisht në burg nisi bashkëpunimi i tij me autoritetet amerikane. Sipas dokumenteve të FBI-së, ai u regjistrua si informator dhe u dha informacione për persona të dyshuar për terrorizëm, siç shkruan The Jerusalem Post.

Medi

Pas sulmeve të 11 shtatorit, Skoro thotë se CIA e kontaktoi për shkak të lidhjeve që kishte krijuar në burg me terroristët dhe trafikantët prapa grilave.

Nga 2002 deri më 2006, kur ishte duke vuajtur dënimin në një burg federal në Pensilvani, ai thotë se mblodhi informacione për FBI-në për disa persona që më vonë u dënuan në raste terrorizmi.

Në dokumentet e FBI-së të vitit 2004, Skoro figuron si informator në një hetim që lidhej me Osama bin Ladenin. Dokumentet thonë se ai kishte dhënë informacione të konsideruara të besueshme dhe të dobishme, përfshirë edhe të dhëna për një kamp stërvitor në Siri.

Më pas, Skoro pretendon se CIA e dërgoi në misione të fshehta. Nga 2007 deri më 2009, ai thotë se punoi i infiltruar në rrethe të Al-Kaedës, duke udhëtuar në Siri, Liban, Jordani, Pakistan, Egjipt dhe Kosovë.

Sipas tij, puna e tij ndihmoi autoritetet amerikane në arrestimin e pjesëtarëve të Al-Kaedës, Al-Shabaab-it dhe Hezbollahut.

Një prej rasteve ishte ai i Betim Kaziut, i cili u dënua me 27 vjet burg pasi tentoi të siguronte armë për Al-Shabaab-in për të sulmuar trupat amerikane jashtë vendit. Skoro thotë se ishte ai që u dha autoriteteve vendndodhjen e Kaziut në Kosovë, duke çuar në arrestimin e tij në vitin 2009.

Ai gjithashtu pretendon se ndihmoi në kapjen e dërgesave të uraniumit në Kosovë, duke parandaluar një komplot të mundshëm me “bombë të ndyrë”.

Por, sipas Skoros, në gjithë këtë histori ai nuk mori atë që priste. Ai kishte besuar se do të merrte një dënim më të lehtë për bashkëpunimin e tij, por në vitin 2007 u deportua në Kosovë.

Skoro pretendon se CIA i kishte kërkuar të vazhdonte punën e fshehtë nga Ballkani. Ai thotë se gjatë kësaj periudhe u qëllua në këmbë në një atentat në Kosovë dhe më vonë u kthye në SHBA përmes Kanadasë në vitin 2014.

Në vitin 2016, ai u arrestua përsëri nga autoritetet amerikane pasi NYPD e kishte kapur duke përdorur kartën e zbritjes së transportit publik të vajzës së tij. Kjo nisi një tjetër betejë të gjatë për statusin e tij në SHBA.

Në 2022, një gjykatës federal vendosi që Skoro nuk mund të deportohej në Kosovë, pasi ekzistonte rreziku që atje të torturohej ose të vritej. Vendimi u bazua në Konventën Kundër Torturës, por nuk i dha atij status të përhershëm qëndrimi në SHBA.

Skoro ndërkohë vazhdoi jetën në Amerikë. Ai është i martuar, ka fëmijë amerikanë dhe punon si shofer taksie në Staten Island.

Por më 3 gusht 2026, kur shkoi bashkë me gruan e tij në një zyrë emigracioni në Elizabeth, New Jersey, për të rinovuar dokumentet, u arrestua nga ICE.

Gruaja e tij, Susan Skoro, thotë se ai sapo u regjistrua në recepsion kur agjentët e ICE-së e morën dhe e futën në një dhomë.

Tash avokatët e tij kanë dorëzuar një kërkesë në gjykatën federale për ta ndaluar deportimin. Ata argumentojnë se, pasi gjykata ia kishte pezulluar deportimin në vitin 2022, ICE nuk mund ta dëbojë pa marrë më parë leje nga gjykata.

Avokati i tij, Joshua Dratel, thotë se Skoro gjatë dekadës së fundit ka bërë një jetë normale dhe të ligjshme me familjen e tij, pas viteve që, sipas tij, i kishte kaluar duke punuar për autoritetet amerikane.

Edhe vetë Skoro thotë se nuk e kishte imagjinuar kurrë se SHBA-ja do të sillej kështu me të.

“Nuk e mendova kurrë se do të më tradhtonin në këtë mënyrë”, tha ai për CBS News nga qendra e paraburgimit të ICE-së në Elizabeth.

Dhe frika e tij është e thjeshtë: nëse kthehet në Kosovë, thotë se mund të vritet.

Tash për këtë duhet të vendosë gjykata. Gjykatësi federal Robert Kirsch i ka kërkuar qeverisë që të japë përgjigje për rastin deri të enjten. /Gazetametro

Aquapark 2