Pas 11 ditësh arrati, vetëdorëzohen në Polici dy të dyshuarit për gjuajtjen me armë te Qendra Zejtare në Mitrovicë

Pas 11 ditësh në arrati, dy persona janë vetëdorëzuar në Polici në lidhje me gjuajtjen me armë zjarri që ndodhi më 9 gusht në zonën e Qendrës Zejtare në Mitrovicë, rast të cilin autoritetet e kanë cilësuar si “Vrasje në tentativë”, njofton Mitropol.
Sipas njoftimit të fundit të Policisë së Kosovës, dy të dyshuarit janë vetëdorëzuar më 20 gusht 2026, ndërsa “Mitropol” merr vesh se bëhet fjalë për dy vëllezër, E.C, 18 vjeçar dhe A.C, 24 vjeçar
Njëri prej tyre ka dorëzuar edhe një pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë incidentit me armë zjarri.
Ngjarja kishte ndodhur më 9 gusht 2026, rreth orës 15:30, në Sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë, në afërsi të Qendrës Zejtare. Në atë kohë, Policia kishte raportuar për disa të shtëna me armë zjarri dhe, gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, ishin vërejtur vrima në muret e dy banesave, që dyshohej se ishin shkaktuar nga të shtënat.
Në vendin e ngjarjes ishin gjetur dhe konfiskuar edhe disa gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, ndërsa Policia kishte deklaruar se dyshohej që gjuajtjet kishin ardhur nga dy palë.
Tash, pas vetëdorëzimit të dy të dyshuarve dhe konfiskimit të një pistolete që dyshohet se është përdorur në rast, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar nga njësitë relevante policore./Mitropol/








