Edhe një person arrestohet për “tentim-vrasjen” te Qendra Zejtare në Mitrovicë, shkon në mbajtje

Rasti i gjuajtjes me armë zjarri në zonën e Qendrës Zejtare në Mitrovicë po merr një zhvillim të ri, pasi Policia ka arrestuar edhe një person tjetër të dyshuar për rastin e cilësuar si “Vrasje në tentativë”, njofton Mitropol.
Sipas njoftimit të fundit të Policisë së Kosovës, i dyshuari është identifikuar dhe arrestuar më 21 gusht 2026.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ky arrestim vjen një ditë pasi, më 20 gusht, në Polici ishin vetëdorëzuar dy të dyshuar të tjerë lidhur me të njëjtin rast e që janë vëllezër mes vete. Njëri prej tyre kishte dorëzuar edhe një pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur në rast, ndërsa të dy ishin dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
”Mitropol” mëson se bëhet fjalë për një person me inicialet V.H, gjersa një tjetër person mbetet në arrati ende, ani pse dje i është dorëzuar njoftimi për paraqitje në stacion policor.
Ngjarja kishte ndodhur më 9 gusht 2026, rreth orës 15:30, në Sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë, në afërsi të Qendrës Zejtare, ku ishin raportuar disa të shtëna me armë zjarri.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Policia kishte vërejtur vrima në muret e dy banesave, që dyshohej se ishin shkaktuar nga të shtënat. Po ashtu, ishin gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja të kalibrave të ndryshëm.
Në raportimin fillestar, Policia kishte bërë të ditur se dyshohej që gjuajtjet kishin ardhur nga dy palë, duke konfirmuar informacionin e raportuar më herët nga “Mitropol” për një përplasje me armë mes dy grupeve.
Me arrestimin e sotëm, numri i personave të arrestuar në lidhje me këtë rast shkon në tre.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit janë duke vazhduar./Mitropol/








