Dukato 2
KOSOVËLAJME

Të rinjtë e Kosovës mbështesin Evropën, por lodhen nga pritja

Të rinjtë e Kosovës vazhdojnë ta shohin Evropën si drejtimin kryesor politik, ekonomik dhe shoqëror të vendit, por shprehin lodhje nga proceset e gjata të integrimit.

Këto janë disa nga gjetjet e raportit “Të imagjinosh Evropën nga Ballkani Perëndimor: Perspektivat e të rinjve nga Kosova”, pjesë e projektit rajonal “Youth Agency and New Political Imaginaries in the Western Balkans”.

Weelnes

Raporti bazohet në një punëtori të zhvilluar në Prishtinë me të rinj të moshës 18–25 vjeç. Për ta, Evropa lidhet me lirinë, shtetin e së drejtës, sigurinë, arsimin, zhvillimin ekonomik dhe institucione më të qëndrueshme.

Liberalizimi i vizave në vitin 2024 u cilësua si një “urë drejt Evropës”, duke e bërë më konkrete përvojën e të rinjve përmes udhëtimit dhe kontakteve. Pjesëmarrësit kërkuan mundësi të barabarta për studim, lëvizje dhe punësim, pavarësisht pasaportës apo pozitës gjeografike.

Ata shprehën shqetësim për standardet e dyfishta dhe kërkuan më shumë transparencë dhe përparim më të shpejtë në procesin e integrimit. Në fokus ishin edhe investimet në arsim, shëndetësi dhe inovacion, si dhe lufta kundër korrupsionit.

Raporti thekson se mundësitë për punësim, digjitalizimi dhe mbështetja për sipërmarrjen janë të rëndësishme për t’i mbajtur të rinjtë në Kosovë. Gjetjet lidhen me një prirje më të gjerë në Ballkanin Perëndimor, ku 92 të rinj morën pjesë në punëtori të zhvilluara në gjashtë qytete të rajonit.

Ata e shohin veten evropianë për nga vlerat, por ende jashtë strukturave të anëtarësimit dhe vendimmarrjes së Bashkimit Evropian.

Mesazhi i tyre është i qartë: mbështetja për Evropën mbetet e fortë, por besimi kërkon mundësi konkrete, institucione llogaridhënëse dhe përfshirje reale të të rinjve në vendimmarrje.

eKiosk