
Në ditët e fundit është raportuar se afganët që janë larguar nga Afgansistani për shkak të ardhjes në pushtet të talibanëve do të vendosen nëpër pika të ndryshme qëndrimi edhe në Republikën e Kosovës, shkruan Mitropol.
Si njëra nga pikat opsionale për qëndrimin e afganëve brenda Kosovës po shihet edhe Qendra e Studentëve në Prishtinë, të paktën kështu kanë informuar nga Ministria e Punëve të Mbrendshme në Republikën e Kosovës.
Mirëpo vendosjen e afganëve në konvikte po e kundërshtojnë studentët e Universitetit të Prishtinës, të cilët nuk e përjashtojnë mundësinë edhe të organizimit të protestave për ta kundërshtuar një vendim të tillë.
Organizata Studentore “REFORMA”, dje përmes një reagimi në faqen e tyre në facebook kanë theksuar se janë për tu ndihmuar afganëve, mirëpo janë kundër vendosjes së tyre në konvikte.
Në reagimin e tyre thuhet se do ta kundërshtojnë këtë vendim për dy arsye:
- Qendra e Studentëve është e studentëve dhe si e tillë duhet mbetur e studentëve.
- Refugjatët e vendosur në QS do të qëndrojnë deri në një datë të pacaktuar, rrjedhimisht kjo nënkupton që studentët nuk mund të vendosen në tetor në konvikte.
Reagimin e plotë e gjeni si në vijim:
REAGIM
Organizata Studentore “REFORMA”, po i përcjell me vëmendje dhe shqetësim lajmet për vendosjen e qytetarëve nga Afganistani në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Për ne, vendosja e qytetarëve që vinë nga Afganistani në QS, është e papranueshme dhe si të tillë do ta kundërshtojmë deri në fund. Vendosja e tyre në QS, do të ndikonte që studentët e Universitetit të Prishtinës të mbesin pa u vendosur në QS, rrjedhimisht kjo do e rëndonte edhe më shumë gjendjen ekonomike për studentët, e cila edhe është e rënduar nga pandemia Covid-19.
Organizata Studentore “REFORMA” kundërshton vendosjen e qytetarëve afganë në QS për dy arsye:
1. Qendra e Studentëve është e studentëve dhe si e tillë duhet mbetur e studentëve.
2. Refugjatët e vendosur në QS do të qëndrojnë deri në një datë të pacaktuar, rrjedhimisht kjo nënkupton që studentët nuk mund të vendosen në tetor në konvikte.
Organizata Studentore “REFORMA”, bënë thirrje institucioneve përkatëse që rastin e vendosjes së qytetarëve nga Afganistani ta trajtojë me kujdes të shtuar.
Neve jemi për t’i pritur dhe për tu solidarizuar me refugjatët, mirëpo për ta duhet menduar një zgjidhje tjetër pa i dëmtuar studentët e UP-së.
Ne nuk do të lejojmë të përsëritet situata e njejtë sikurse vitin e kaluar që ndodhi kur QS u kthye në qendër të karantinimit.
Organizata Studentore “REFORMA” do të qëndrojë përherë krahë për krahë me studentët e Universitetit të Prishtinës.
Organizata Studentore “REFORMA”
21 gusht, 2021








