Premium Store
02LAJME

Nga kontrata 54 mijë euro te posti i konsullit: Si përfitoi aktivisti i Guxo-s nga pushteti i Pecit, Gërvallës dhe Konjufcës

Një aktivist i Listës Guxo në Mitrovicë duket se ka përfituar në disa forma nga pushteti që kjo parti e ushtroi në institucionet e Kosovës.

Bëhet fjalë për Njazi Ajvazin, ish-anëtar i Kryesisë së partisë Guxo në Mitrovicë, i cili njihet si njeri i afër i Faton Pecit. Brenda pak viteve, ai ka përfituar shumë nga Qeveria Kurti.

Active

Fillimisht, ai kishte përfituar një kontratë mbi 50 mijë euro nga një institucion që vepron në kuadër të ministrisë së udhëhequr nga Faton Peci, për të vazhduar më pas me punësim në Ministrinë e Punëve të Jashtme nga Donika Gërvalla dhe në fund me një pozitë të lart në shërbimin diplomatik të Kosovës, e cila iu dha nga kryediplomati Glauk Konjufca.

Pecit i jep kontratë 54 mijë euro

Në vitin 2022, Agjencia Pyjore e Kosovës (APK), institucion që vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), e cila atëkohë drejtohej nga Faton Peci, i kishte dhënë Njazi Ajvazit një kontratë në vlerë prej 54 mijë eurosh.

Në atë kohë, Peci ishte njëri prej figurave kryesore të Listës Guxo dhe udhëhiqte degën e kësaj partie në Mitrovicë, ku Ajvazi ishte pjesë e Kryesisë.

Kontrata, të cilën e kishte siguruar gazeta Nacionale, kishte të bënte me marrjen e një lokali me qira për nevojat e Drejtorisë për Koordinimin e APK-së në Mitrovicë.

Kontrata parashihte që Agjencia Pyjore e Kosovës, Ajvazit do t’ia paguajë 900 euro në muaj, për një kohëzgjatje prej 5 vitesh.

Sipas nenit të parë të kontratës, qiradhënësi (Ajvazi) i jep me qira qiramarrësit (KAP) zyrat të cilat gjenden në Mitrovicë, rruga “Shala e Bajgorës”, të cilat do të shfrytëzohen për zyrat për nevojat e Drejtorisë për Koordinimin e APK-së në Mitrovicë.

Objekti i kontraktuar kishte sipërfaqe të përgjithshme prej 478 metra katrorë, prej tyre 195 metra katrorë janë zyre, ndërsa pjesa tjetër është parking (për 8 automjete).

Në nenin 4 të kontratës, thuhet se qiraja fillon të rrjedhë prej datës 1 korrik dhe do të zgjasë deri më 30 qershor të vitit 2027.

Punësimi në MPJD

Por, përfitimet e Ajvazit nga institucionet shtetërore nuk përfunduan me kontratën e marrë nga Agjencia Pyjore e Kosovës.

Dy vjet më vonë, në kohën kur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës drejtohej nga Donika Gërvalla, e cila njëkohësisht ishte edhe kryetare e Listës Guxo, Ajvazi u punësua në këtë ministri si zyrtar i shërbimit të jashtëm.

Më 30 tetor të vitit 2022, ai ishte punësuar në MPJD si zyrtar i shërbimit të jashtëm.

Sipas njoftimit për kandidatët fitues, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, Ajvazi kishte marrë më sa paku pikë nga kandidatët e pranuar.

Emërimi si konsull

Më 15 prill të vitit 2026, ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, e caktoi Ajvazin në shërbim diplomatik, duke e dërguar në Konsullatën e Kosovës në Kopenhagë.

Në vendimin që e ka siguruar gazeta Nacionale, Ajvazi është caktuar të shërbejë në Konsullatën e Kosovës në Kopenhagë me mandat katërvjeçar.

Sipas vendimit, ai punën në konsullatë e ka filluar nga data 3 gusht 2026.

Kështu, brenda disa vitesh, një anëtar i Kryesisë së Listës Guxo në Mitrovicë kaloi nga përfitues i një kontrate prej 54 mijë eurosh nga një institucion nën varësinë e ministrisë së udhëhequr nga Faton Peci, në punonjës të MPJD-së gjatë drejtimit të Donika Gërvallës, për të përfunduar më pas në një pozitë konsullore me vendim të Glauk Konjufcës.

Foto: Njazi Ajvazi (djathtas), Enis Osmani – nënkryetar i Komunës dhe kryetar i GUXO në Mitrovicë (afër tij), Selman Ajvazi (i dyti nga ana e majtë) – vëllai i Njaziut, Lulzim Imeri (i pari majtas) – aktivist i GUXO dhe promovues i punës së Faton Pecit dhe sulmues i kundërshtarëve te tij.

Premium Store