
Autoritetet suedeze, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, kanë arritur të konfiskojnë pasuri në Kosovë që dyshohet se janë fituar përmes trafikimit të narkotikëve dhe shpëlarjes së parave.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se, si rezultat i veprimeve hetimore të Prokurorisë Speciale, është arrestuar personi me inicialet A.G., të cilit i janë konfiskuar pasuritë e fituara me vepra penale.
Sipas komunikatës, rasti ka marrë epilog gjyqësor në Suedi dhe përbën precedentin e parë kur ky shtet ka arritur të sekuestrojë pasuri jashtë juridiksionit të vet territorial.
“Ky rast ka marrë epilog gjyqësor në shtetin suedez dhe përbën precedentin e parë që shteti suedez ka arritur të sekuestrojë pasuri jashtë juridiksionit të vet territorial.
Zyra për Rikthimin e Aseteve, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, së bashku me autoritetet suedeze, do të ndërmarrë hapa të mëtejmë për ekzekutimin final të pasurive të konfiskuara në Kosovë me vendim të plotfuqishëm të autoriteteve suedeze.
Ky rast përbën një shembull të mirë të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, veçanërisht në konfiskimin e aseteve të fituara me vepra penale kudo që ato ndodhen.
Institucioni i Prokurorit të Shtetit mbetet i përkushtuar që të thellojë bashkëpunimin me vendet partnere në luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit me element ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.








