Enigma e “Javelinëve”, Kosova i ka paguar në avans, Maqedoncit s’i dalin fjalët se kur vjen porosia, në SHBA heshtje

Që nga miratimi i shitjes së sistemeve antitank “Javelin” për Kosovën nga SHBA-ja në janar të vitit 2024, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka dhënë disa afate të njëpasnjëshme për arritjen e tyre, fillimisht duke paralajmëruar vitin 2025 e më pas vitin 2026. Megjithatë, pavarësisht premtimeve, porosia ende nuk ka arritur në Kosovë, ndërsa ministri vonesat i ka arsyetuar me kërkesën e lartë ndërkombëtare dhe kapacitetet prodhuese amerikane. Në një përgjigje për Gazetën Express më 15 shtator 2026, Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se Kosova ka paguar të gjithë shumën prej 75 milionë dollarësh më 19 shtator 2025, më shumë se një vit para afatit të fundit të përcaktuar në marrëveshje. Ndërkohë, Pentagoni dhe kompania Raytheon e kanë referuar Expressin te Departamenti Amerikan i Shtetit, nga i cili nuk është marrë përgjigje për statusin e porosisë dhe afatet e dorëzimit. Kështu, pavarësisht përfundimit të pagesës, institucionet amerikane nuk kanë dhënë sqarime publike për fazën e prodhimit dhe datën konkrete kur raketahedhësit pritet të arrijnë në Kosovë.
Që kur në vitin 2024 ishte konfirmuar nga SHBA kontrata për Kosovën që do të mundësonte blerjen e një sasie të anti-tankëve “Javelin”, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë deklarime të shumta për atë se kur pritet të arrijnë në Kosovë.
Në dhjetor të vitit 2024, Maqedonci kishte deklaruar se një sasi e “Javelinëve” të porositur pritet të arrijë gjatë vitit 2025.
“Vlerësoj që gjatë vitit 2025 do të kemi ardhjen e parë të Javelinëve. Por çka është për t’u theksuar është që tanimë FSK nuk është në mungesë të sistemeve raketore antitank. Ne kemi bërë blerje nga Turqia të dy sistemeve”, kishte thënë ministri i Mbrojtjes në një intervistë në “Rubikon” në Klan Kosova në dhjetor të vitit 2024.
Pastaj në maj të vitit 2025, në një intervistë për emisionin “magazina” në RTV Dukagjini kishte thënë se një sasi pritet të arrijë brenda vitit, ndërkohë kishte përmendur vështirësi për marrjen e porosisë në SHBA për shkak të kërkesës së shumtë.
“Jemi duke insistuar që deri në fund të vitit të kemi një sasi, mirëpo dihet që vështirë janë në aspektin e blerjes ushtarake. Sidomos këtyre sistemeve, duke pas parasysh faktin që në botë ka kërkesa shumë më shumë për këto sisteme se sa që ka pasur më herët. Mirëpo ne jemi duke komunikuar në vazhdimësi që të kemi një sasi deri në fund të këtij viti. Edhe pse Kosovës nuk i mungojnë sistemet raketore ant-itank, tashmë i kemi në FSK. Janë sisteme të përafërta edhe pse Javelin njihen për efikasitetin si sistem raketor”, kishte thënë Maqedonci më 28 maj 2025.
Megjithatë, ministrit Ejup Maqedonci nuk i dolën fjalët për vitin 2025. Në nëntor të 2025-ës, ministri i Qeverisë Kurti tashmë kishte nisur të përmendte vitin 2026 si vitin kur “Javelinët” do të duhej të arrinin patjetër në Kosovë.
“Marrëveshjet për blerje nuk përfshijnë vetëm raketat Javelin. Ne kemi bërë dhe po bëjmë blerje të shumta të sistemeve të armatimit nga SHBA-ja dhe nga shtete të tjera. Aktualisht jemi në periudhën e përcaktimit të afateve të arritjes dhe jemi në pritje të konfirmimit. Po diskutojmë që t’i kemi sa më herët. Mendoj se viti 2026 do të jetë koha kur patjetër do të kemi një sasi, por bashkë me komandantin e FSK-së po përpiqemi t’i sjellim edhe brenda këtij viti. Javelin është një nga sistemet më të mira anti-tank, por nuk është i vetmi që kemi në FSK”, kishte thënë Maqedonci, në KallxoPërnime më 22 nëntor 2025.
Ministri i Ushtrisë në një intervistë për Tëvë1 të dhënë gjatë muajit tetor të këtij viti ka përsëritur pritjet e tij se “Javelinët” pritet të arrijnë brenda 2026-ës. Megjithatë ka përmendur vonesat e mundshme si rezultat i kërkesave të mëdha.
“Janë në procesin përfundimtar të arritjes, jemi në diskutim që të kemi edhe gjatë këtij viti një sasi, normalisht që na është premtuar vitin e kaluar që ta kemi këtë vit. Nuk mund të gjykojë edhe vonesat e mundshme, duke pasur parasysh që ShBA-ja po lufton aktualisht në disa fronte të luftës. Normalisht, sepse kërkesat janë shumë të mëdha, ka pasur një mbështetje për Ukrainën në vazhdimësi, Shqipëria pas pesë viteve, i ka pranuar këtë vit dhe vendet tjera”, ka thënë Maqedonci.
Ministria e Mbrojtjes për Express: Pagesa është kryer para afatit, më 19 shtator 2025
Në një përgjigje për Gazetën Express, të siguruar përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Ministria që drejton Ejup Maqedonci kanë konfirmuar se Republika e Kosovës ka kryer pagesën prej 75 milionë dollarësh për porosinë e “Javelinëve”.
Ndonëse afati i fundit i pagesës ka qenë dhjetori i vitit 2026, Kosova ka paguar këstin e fundit më 19 shtator 2025.
“Marrëveshja kohore sipas afateve në LOA, ishte që pagesa e fundit do të duhet të bëhej më 15 dhjetor 2026, ndërsa ne e kemi bërë pagesën e fundit me datë 19.09.2025, pra një vit e ca më herët. Si përfundim, MM ka përfunduar pagesën para afateve të cekura në LOA”, kanë thënë për Gazetën Express nga Ministria e Mbrojtjes, pasi fillimisht kishin refuzuar të përgjigjeshin rreth çështjes në fjalë.
Çfarë thonë institucionet amerikane, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Departamenti i Mbrojtjes
Marrë parasysh deklarimet e ministrit Ejup Maqedonci për kohën se kur pritet të arrijë porosia e sistemeve anti-tank, “Javelin” në Kosovë, Express ka kërkuar një përgjigje në Ëashington.
Në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes nuk kanë pranuar që të flasin për këtë çështje duke thënë se është Departamenti Amerikan i Shtetit institucioni që duhet të përgjigjet.
“Ju referojmë tek Departamenti Amerikan i Shtetit”, kanë thënë për Express nga Zyra për Media e Pentagonit.
Ndërkohë nga DASH s’kanë dhënë kurrfarë përgjigje rreth asaj se çfarë po ndodh me porosinë e Kosovës.
Kontraktorët amerikanë që do të prodhojnë “Javelinët” s’japin detaje çfarë po ndodh me porosinë e Kosovës
Marrëveshja për shitje të sistemit anti-tank për Kosovën sipas dokumentacioneve amerikane, do të implementohet nga dy kompani amerikane, Rayethon dhe Lockheed Martin, të cilat funksionojnë si një ndërmarrje e përbashkët.
Duke qenë se autoritetet amerikane s’kanë dhënë detaje sa i përket implementimit dhe fazave të dorëzimit të mundshëm të “Javelinëve” për Kosovën, Gazeta Express ka kontaktuar direkt kompanitë në fjalë.
Nga kompania “Rayethon” njëjtë sikurse nga Pentagoni, kanë thënë se për këtë çështje duhet kontaktuar Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Faleminderit që kanë keni kontaktuar. Këto pyetje më së miri është që të adresohen nga Departamenti Amerikan i Shtetit”, kanë thënë në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga kompania “Rayethon”.
Derisa nga kompania tjetër “Lockheedmartin” s’kanë kthyer ndonjë përgjigje.
Lidhur me këtë çështje dhe deklarimet e ministrit Ejup Maqedonci për arritjen e “Javelinëve”, Gazeta Express ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes. Duket që nga kjo ministri është e pamundur të merret përgjigje pa asistencën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë për të marrë detaje rreth një takimi që e ngarkuara me Punë, Annu Prattipati, ka pasur me ministrin Ejup Maqedonci të hënën, specifikisht nëse kanë diskutuar për “Javelinët”. Megjithatë Express s’ka marrë përgjigje nga Ambasada.
Më 11 janar 2024, Departamenti i Shtetit i SHBA-së kishte konfirmuar se kishte miratuar shitjen e mundshme ushtarake për Kosovën të raketave antitank Javelin dhe pajisjeve përcjellëse, me një vlerë të parashikuar prej 75 milionë dollarësh. Agjencia për Bashkëpunim në Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA) kishte njoftuar gjithashtu Kongresin amerikan për këtë shitje të mundshme.
Sipas njoftimit, Kosova kishte kërkuar blerjen e 246 raketave Javelin FGM-148F, përfshirë gjashtë raketa për testim para blerjes përfundimtare (fly-to-buy), si dhe 24 njësi komanduese lëshuese të lehta (LWCLU).
Paketa përfshinte gjithashtu pajisje dhe sisteme për trajnim, simulim dhe mirëmbajtje, përfshirë simulatorë për operatorët, pajisje për trajnimin në terren, pajisje për ftohjen e baterive, integrimin e sistemeve, mbështetjen gjatë ciklit jetësor të pajisjeve, dokumentacion teknik, mjete pune dhe trajnime për përdorimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e municionit.
Departamenti i Shtetit në konfirmimin për miratimin e shitjes kishte thënë se kjo shitje do të forconte kapacitetet afatgjata mbrojtëse të Kosovës dhe aftësinë e saj për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial. Sipas njoftimit, Kosova nuk do të kishte vështirësi në integrimin e këtyre pajisjeve në Forcat e saj të Armatosura.
Kontraktorët kryesorë të kësaj marrëveshjeje ishin përcaktuar Javelin Joint Venture, ndërmarrje e përbashkët mes kompanive amerikane Lockheed Martin, me seli në Orlando të Floridës, dhe Raytheon Missiles and Defense, me seli në Tucson të Arizonës.
Njoftimi i Kongresit për miratimin e shitjes








