Deklarohej vetëm me mish lope, por në suxhukun e BUQUKU-t zbulohet ADN e pulës – AUV tërheq nga tregu 178 kilogramë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar masa kufizuese ndaj prodhimit dhe shpërndarjes së produkteve të kompanisë BUQUKU SH.P.K. në Pejë, pasi në produktin “Suxhuk shtëpiak” është identifikuar prania e ADN-së së pulës, ndonëse në deklaracion figurojnë vetëm mishi dhe yndyra e lopës.
Sipas njoftimit të AUV-së, mostra është marrë nga inspektorët dhe është analizuar në laboratorin ALIMENTI-OMNILAB në Bullgari. Rezultatet kanë konfirmuar praninë e ADN-së së gjedhit dhe pulës, ndërsa ADN-ja e derrit nuk është detektuar.
AUV ka sqaruar se analiza konfirmon praninë e ADN-së së pulës, por nuk përcakton llojin, sasinë apo burimin e materialit të përdorur. Për këtë arsye, verifikimet e mëtejshme do të përcaktojnë nëse është përdorur mish pule i ndarë mekanikisht apo përbërës të tjerë me origjinë nga pula.
Pas rezultateve laboratorike, inspektorët kanë kryer kontroll zyrtar te kompania, ku janë bllokuar gjithsej 178 kilogramë produkte: 120 kilogramë suxhuk “Kalorik” dhe 58 kilogramë suxhuk shtëpiak. Po ashtu, është urdhëruar ndalimi i prodhimit të suxhukut dhe tërheqja e produkteve nga pikat e shpërndarjes.
AUV ka bërë të ditur se do t’i zgjerojë kontrollet për të verifikuar përbërjen e produkteve të tjera të mishit të këtij operatori, burimin dhe gjurmueshmërinë e lëndëve të para, procesin e prodhimit, kushtet e ruajtjes dhe përputhshmërinë e deklaracioneve me përbërjen reale.
Agjencia ka theksuar se gjetja laboratorike i referohet vetëm produktit “Suxhuk shtëpiak” të testuar dhe nuk nënkupton se e njëjta mospërputhje është konstatuar edhe në produktet e tjera të kompanisë.
Sipas AUV-së, operatorët ekonomikë janë përgjegjës për deklarimin e saktë të përbërjes, gjurmueshmërinë dhe respektimin e kërkesave për sigurinë ushqimore. Agjencia ka bërë të ditur se do të ndërmarrë masat përkatëse administrative dhe inspektuese, ndërsa publikun do ta informojë për rezultatet e kontrolleve të mëtejshme.








