Active 2
02KOSOVËLAJME

Tentoi ta godiste policin me veturë, pastaj e sulmoi dy herë me kokë në ballë – merret vendimi për 30-vjeçarin në Vushtrri

Albert Mehmeti, rreth 30-vjeçar, i arrestuar nën dyshimin se tentoi ta godiste me veturë një zyrtar policor në Vushtrri dhe më pas e sulmoi fizikisht, është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë së Shtetit.

Vendimi është marrë pas intervistimit të tij nga hetuesit rajonalë, lidhur me incidentin e së premtes, më 13 nëntor, në Vushtrri.

Aurora Group

Siç raportoi Sinjali, ngjarja kishte nisur rreth orës 10:15, derisa zyrtarët policorë po shqiptonin gjoba për parkime të parregullta.

Sipas informacioneve, Mehmeti dyshohet se kishte tentuar ta godiste me veturë njërin prej policëve, i cili kishte arritur të shmangej.

Më pas, i dyshuari ishte larguar me veturë, duke i drejtuar policit fjalë fyese dhe kërcënuese.

Njësia policore ishte vënë në ndjekje dhe kishte arritur ta ndalonte në rrugën “Wesley Clark”.

Gjatë ndalimit, 30-vjeçari dyshohet se kishte refuzuar t’ua dorëzonte dokumentet policëve dhe nuk kishte përfillur urdhrat e tyre.

Situata kishte eskaluar kur zyrtarët e kishin njoftuar se do të arrestohej. Sipas burimeve, ai kishte dalë nga vetura dhe e kishte goditur dy herë me kokë në ballë njërin prej policëve, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Policia kishte konstatuar gjithashtu se Mehmeti e kishte patentë-shoferin të konfiskuar, ndaj ia kishte sekuestruar edhe automjetin.

Pas intervistimit nga Njësia e Hetimeve Rajonale dhe konsultimit me Prokurorinë, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Rasti po hetohet për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës

Koha