Kosovarët thyejnë rekord: Ja shifra sa turistë kosovarë kalojnë pushimet në Shqipëri

Shqipëria vazhdon të mbetet destinacioni kryesor i qytetarëve të Kosovës për sa i përket kalimit të pushimeve.
Sipas raportit më të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT), shkruan Telegrafi, në periudhën janar – korrik 2021, kosovarët ishin të parët në rajon për vizitat në Shqipëri.
Referuar INSTAT-it, gjatë shtatë-mujorit hyrjet e qytetarëve nga Kosova janë 1 milionë e 381 mijë e 532 turistë. Thënë ndryshe, 877 mijë e 934 më shumë se për të njëjtën periudhë të 2020.
Në periudhën janar – korrik 2019 ishin 1 milionë e 57 mijë e 545 vizitorë nga Kosova në Shqipëri.
Vetëm gjatë muajit korrik 2021, në Shqipëri shkuan 521 mijë e 265 turistë, ndërsa gjatë korrikut të 2020-së, i cili konsiderohet si viti i pandemisë COVID-19, ishin 205 mijë e 436 qytetarë që kishin kaluar pushimet në shtetin shqiptar.
Për sa i përket vizitave për muajin korrik 2019, kosovarët përsëri ishin të parët që bënë më shumë vizita në Shqipëri, pra në një total prej 448 mijë e 896 turistë.

Pas Kosovës, nga vendet e rajonit maqedonasit janë ata që më së shumti kishin vizituar Shqipërinë. Gjatë muajve janar – korrik 2021 ishin 336 mijë e 500 qytetarë nga Maqedonia e Veriut që ishin turistë, pasuar nga malazezët me 183 mijë 747. /Telegrafi








