KOSOVËLAJME

AAK: Kurti nuk i qëndroi mbrapa asnjë vendimi, u dorëzua dhe po kërkon zgjedhje

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri në një konferencë për media ka thënë se në trevjetorin e qeverisjes së Albin Kurtit, Kosova ndodhet në pikën e saj më të errët.

Tahiri ka thënë se për tri vjet qeverisje, kryeministri Kurti ka arritur vetëm t’i bëjë dëm vendit. Ai ka komentuar edhe “ofertën” që Kurti mbrëmë ia bërë opozitës për zgjedhje të parakohshme.

Florenti Company
Market Florenti
Koha

Tahiri tha se Kurti u dorëzua duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, por shtoi se AAK nuk pajtohet me mënyrën se si Kurti dëshiron të ikë nga përgjegjësia e tij si kryeministër.

“Kjo konferencë vjen në ditën e trevjetorit të Qeverisë së Albin Kurtit. Ne kemi përgatitur një kërkesë për një debat në trevjetorin e kësaj keqqeverisje që ka arritur t’i bëjë vetëm dëme vendit dhe ta kthejë Kosovën në pikën më të errët që nuk e ka besuar askush asnjëherë. Mirëpo, jam i kënaqur që dje Kurti më në fund e tha edhe vet dhe e ka kuptuar që duhet të dorëhiqet, u dorëzuar dhe e vendi të shkojë në zgjedhje. Kur në fillim të këtij mandati, kryetari Haradinaj thoshte se “keni kujdes se ky është një mashtrues”, njerëzit shikonin me huti të mëdha. Ajo që karakterizohet në këto tri vite është një qeverisje që nuk i qëndroi mbrapa asnjë vendimi të vet, dhe siç e patë edhe dje kryeministri u dorëzuar duke e dorëzu mandatin në trevjetorin e tij dhe duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhjet. Më duhet që sot të shpreh mospajtimin në emër të AAK-së për mënyrën sesi Kurti dëshiron ta bëjë ikjen nga përgjegjësia e tij si kryeministër. AI këtë ikje do ta trajtojë përmes komunikimit të tij të sofistikuar në raport me opozitën. Nuk është problem Kuvendi, por qeverisja e Kosovës”, tha Tahiri para mediave.

AAK ka prezantuar një rezolutë që qeveria të përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje, duke votuar siç tha si mocionin e propozuar nga AAK për rrëzimin e qeverisë.

“Të gjitha parametrat e deritashëm, sot në trevjetorin e kësaj qeverie kanë dëshmuar se janë plotësuar të gjitha kushtet që qeveria të përmbyllë mandatin e saj me dorëhqeje duke e votuar në kuvend mocionin e propozuar nga AAK për rrëzimin e kësaj qeverie dhe hapi i dytë që të vetshpërbëhet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, tha Tahiri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka sfiduar partitë politike opozitare për zgjedhje të parakohshme.

Kurti ka deklaruar se partia që ai drejton, Lëvizja Vetëvendosje, është e gatshme për zgjedhje. Ai madje e ka sfiduar opozitën se nëse nuk i ka numrat për ta çuar Kosovën në zgjedhje të reja, mund t’ia bëjë vetë ai.

“A do të ketë zgjedhje para 4-vjetorit të qeverisjes suaj?”, është pyetur Kurti në një intervistë për RTK-në.

“Kjo është e vetmja pyetje që ma bëtë sonte për opozitën, ata duhet ta thonë fjalën e tyre unë nuk mund te shkoj në zgjedhje pa opozitën, pra, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2020 ka treguar që për shpërndarje të Kuvendit duhen 2/3 dhe nuk ka mundësi tjetër që automatikisht të shkohet në zgjedhje, tha ai.

“Mund t’i bëjnë bashkë me neve, kjo është ofertë e imja”, u shpreh Kurti. “Unë po them që po shkojmë në zgjedhje kur dëshiron opozita. Ne i ndihmojmë opozitës nëse dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje”, tha ai. “Gjithmonë gati për zgjedhje”, u shpreh Kurti.

Reagimet ishin të menjëhershme nga dy partitë opozitare, PDK dhe LDK. Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i AAK-së, Lumir Abdixhiku thanë se pranojnë “ofertën” e Kurtit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ftoi Kurtin që nga dita e premtë të nisë procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Krasniqi u zotua se nënshkrimet e deputetëve të PDK-së për shpërndarje të Kuvendit janë gati që nesër. I pari i PDK-së, u shpreh se prej vitit të kaluar, PDK në vazhdimësi ka kërkuar zgjedhje.

“Kryeministër, prej korrikut të vitit të kaluar të kam bërë thirrje e të kam pritë me e shpërnda Kuvendin dhe me shku në zgjedhje sa më shpejt. Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati! Çohu shkojmë në zgjedhje menjëherë – nëse ke guxim e të ka mbetë sadopak ndërgjegje për situatën e vështirë në të cilën e ke sjellë vendin”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

I menjëhershëm ka qenë reagimi edhe i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Abixhiku ishte i ftuar në emisionin “Pressing” në T7 në kohë pothuajse të njëjtë me atë të transmetimit të intervistës së Kurtit në RTK.

Kryetari i LDK-së e ka ftuar Kurtin që të ofrojë dorëheqjen në rast se është dorëzuar nga puna si kryeministër. Ai ka shtuar se LDK-ja është e gatshme për zgjedhje që nga nata e mbrëmshme.

“Le ta jap qartë, zëshëm, nëse është dorëzuar e duket se është dorëzuar, le të jap dorëheqje. Pra nëse është dorëzuar le të jap dorëheqje. Por le të ia shpjegoj popullit pse po i lë. LDK-ja nuk bën mocion të shpërbërjes së Kuvendit, por është e gatshme për zgjedhje prej sot. Është e gatshme edhe për qeverisje pas zgjedhjeve”, ka thënë Abdixhiku.

“Nëse është dorëzuar, le të jep dorëheqje. Po kërkon zgjedhje, të bëhet viktimë, të thotë: ‘më rrëzuan’”, u shpreh kryetari i LDK-së. “Le të jap dorëheqje”, përsëriti Abdixhiku.