Abazoviq: Me Vuçiqin kam raporte korrekte dhe miqësore, ndikimi i tij në Mal të Zi është i ekzagjeruar

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se marrëdhëniet e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë shumë të drejta dhe miqësore.
Në një intervistë për gazetën malazeze Vijesti, ai ka pohuar edhe se refuzon t’i trajtojë si përmbajtësore kritikat se presidenti serb përfshihet dhe influencon politikën në Mal të Zi.
“Vazhdimisht jam i sulmuar se Vuçiq po menaxhon diçka këtu, këto gjëra i refuzoj, i konsideroj joserioze. Marrëdhënia ime me Vuçiqin është shumë korrekte dhe miqësore”, tha ai.
Por, shtoi se kjo nuk nënkupton se me liderë të tjerë në rajon nuk ka raporte të njëjta.
“Nuk kam mungesë komunikimi me asnjë kryeministër apo president në rajon”, pohoi.
“A na pëlqen ndonjë opsion politik në rajon apo jo, nuk është çështja jonë dhe nuk është çështje e qytetarëve tanë. Ne kemi pushtet sovran, i respektojmë të tjerët, në të njëjtën mënyrë dhe kaq. E gjithë kjo bisedë për Vuçiqin është në kontekstin e krijimit të një narrative politike negative në raport me mua personalisht. Më vjen mirë që me të, me kryeministrin e Shqipërisë, të Kosovës dhe me kryetarin e Këshillit të Bosnjë-Hercegovinës kemi marrëdhënie që duhet të ketë çdo kryeministër i Malit të Zi”.
“Dhe mendoj se me një marrëdhënie të tillë ne krijojmë një mjedis më të favorshëm për atë që po flisni. Dua të jem i drejtë, mendoj se duhet të flasim faktikisht dhe jo për atë që është perceptimi ynë. Kur bëhet fjalë për skenën mediatike, problemi janë ligjet dhe rregulloret tona të medias. Nëse dikush dëshiron të thotë se duhet të kemi marrëdhënie të këqija me Republikën e Serbisë, vetëm pse nuk i shkon për shtat Milo Gjukanoviçit, unë nuk e pranoj këtë si një gjë të mirë për Malin e Zi”.








