Abdixhiku: Më shumë se dorëheqja nuk kam çfarë të ofroj – tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se ka ofruar dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të partisë, duke theksuar se ky është hapi më moral që një udhëheqës politik mund të ndërmarrë në rrethana të tilla.
Në një deklaratë publike, Abdixhiku tha se pas një diskutimi të gjatë prej më shumë se pesë orësh me strukturat e partisë, janë dëgjuar të gjitha zërat, kritikat dhe shqetësimet, për të dalë më pas me një qëndrim të përbashkët dhe me përgjegjësi para qytetarëve.
“Kam ofruar dorëheqjen time dhe kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Vendimi tani nuk është më i imi, por i LDK-së”, u shpreh ai.
Ky reagim i tij erdhi pas dorëheqjes së Hykmete Bajramit nga posti i nënkryetares së LDK-së, e cila po ashtu njoftoi se dje në mbledhjen e partisë ka kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut.








