Aurora Group
LAJMESPORT

Adis Beçiragiq jep dorëheqjen nga posti i përzgjedhësit të Bosnjë e Hercegovinës

 

Pas tre vitesh në krye të përfaqësueses së Bosnjë e Hercegovinës në basketboll, trajneri Adis Beçiragiq ka vendosur të tërhiqet nga detyra.

Weelnes

Vendimi i tij vjen menjëherë pas përfundimit të Eurobasketit, ku Bosnja regjistroi një nga sukseset më të mëdha në historinë e saj.

Siç raporton portali Klix.ba, Beçiragiq ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen në Federatën e Basketbollit të Bosnjës, duke mbyllur kështu një kapitull të rëndësishëm në rrugëtimin e përfaqësueses.

Në letrën drejtuar Bordit Drejtues, trajneri përmendi arsyet shëndetësore dhe ngarkesën psikologjike si faktorët kryesorë që e shtynë drejt këtij vendimi.

“Ky ka qenë një nga vendimet më të vështira në karrierën time. Dorëhiqem nga posti i trajnerit të përfaqësueses së Bosnjë e Hercegovinës për arsye shëndetësore. Stresi më ka prekur ndjeshëm dhe ka ndikuar në gjithë organizmin tim. Vetëm unë e di çfarë kam kaluar dhe çfarë pasojash ndjej ende sot. Së shpejti do t’i nënshtrohem një operacioni,” – ka shkruar Beçiragiq.

Ai shtoi se, megjithëse do të vazhdojë detyrën si trajner i Trepçës në Kosovë, nuk mund ta përballojë më përgjegjësinë e drejtimit të përfaqësueses:

“Kam përjetuar gëzime të mëdha me këtë ekip, por edhe zhgënjime të thella kur rezultatet nuk ishin siç dëshironim. Shëndeti duhet të jetë gjithmonë prioritet. Shpresoj që dorëheqja ime të pranohet.”

Beçiragiq mori drejtimin e Bosnjës në verën e vitit 2022, duke pasuar Vedran Bosniç. Gjatë periudhës së tij, kombëtarja mori pjesë në dy edicione të Eurobasketit, ndërsa në këtë të fundit arriti një sukses historik – kalimin në fazën e 1/8-ës së finales, ku u eliminua nga Polonia.

Bosnja e përfundoi kampionatin në vendin e 13-të, rezultat që cilësohet si i dyti më i mirë në historinë e përfaqësueses.

Në përmbyllje të letrës së tij, Beçiragiq është shprehur se do të mbetet gjithmonë në dispozicion të federatës dhe pasardhësit të tij, për të ndihmuar zhvillimin e mëtejshëm të basketbollit boshnjak.

Weelnes