KOSOVËLAJME

Adnan Rrustemi flet për punësime dhe akuzon mediat: Harron se dhëndri iu punësua me mesazhe në Kuvend

Fushata

“Mirëmbrëma baci Gani”.

Ky ishte mesazhi që muaj më parë, dhëndri i Adnan Rrustemit, asamblisti i VV-së në Malishevë, Veton Zogaj, ia kishte dërguar deputetit Gani Krasniqi.

Market Florenti

Në ato mesazhe që i kishte publikuar ekskluzivisht gazeta Nacionale nga brenda Kuvendit, Zogaj, dhëndri i Rrustemit, i kërkon Gani Krasniqit të intervenojë për punësimin e tij në ndërmarrjen Ibër-Lepenci.

Madje, pas raportimit të Nacionales, ky konkurs po hetohet edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Por, kur sot pyetet për punësime e skandale të tjera të qeverisë Kurti, Adnan Rrustemi, flet me gjuhë të ashpër ndaj mediave.

Madje, në një intervistë për gazetën Demos, Rrustemi tha se mediat po përdorin hapësirat e tyre për luftë kundër Vetëvendosjes.

“Sulmet që janë të shtuara e që janë të lidhura me zgjedhjet e 9 shkurtit, po synohet të krijohet përshtypja që të gjithë janë hajna. Spekulim selektiv mediatik të përqendruar në disa portale që po përdorin siglat e tyre për kauza kundër qeverisë Kurti. Janë disa portale, që qartazi përdorin hapësirat e tyre, emrin medium, për kauza të caktuara politike. Kanë qëndrime politike, do të thoja unë më radikalisht se përfaqësuesit e opozitës. Opozitës edhe i lejohet një kritikë pa bazë, spekulim politik, sepse janë në garë elektorale, por ata thirren në gazetari e media pse e bëjnë këtë gjë”, tha Rrustemi.

Rrustemi tentoi t’i zbusë punësimet e pushtetit, duke thënë se ato mund të kenë qenë meritore.

“Nuk e kemi problem të hetohen krejt, është fushatë speciale kundër qeverisë e VV-së. Pikërisht se kanë fushatë, po e devalvojnë edhe kritikën. Tendenca është politike elektorale. Prej eventualisht një punësimi të një familjari të një zyrtari, punësimi mund të ketë qenë krejtësisht meritor e parimor, me barazu me keqqeverisjet e skajshme. Për secilin rast individual do të kërkojmë përgjegjësi. Nuk mund të barazohet, një fije, çkado që mund të jetë e kritikueshme në aspektin etik, me keqqeverisjen ashiqare”, tha Rrustemi më tutje.

Punësimi i dhëndrit të Rrustemit në Ibër-Lepenc me mesazhe

“Të gjitha kriteret i plotësoj”, thuhej në mesazhin që asamblisti i VV-së në Malishevë, Veton Zogaj, ia kishte dërguar deputetit Gani Krasniqi. Megjithatë, pavarësisht se thoshte që i plotëson kriteret, zyrtari i lartë i partisë në pushtet, zgjodhi të aktivizojë edhe përfaqësues të tjerë të partisë, për t’ia lehtësuar punësimin në ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”.

Në mesazhet që gazeta Nacionale kishte publikuar tre muaj më parë, Veton Zogaj e njoftonte deputetin e VV-së, Gani Krasniqi, se do të aplikojë në pozitën “Shef i Shërbimit për Burime Njerëzore”. Në ato mesazhe, i kërkonte Krasniqit të intervenojë te Faruk Mujka, që ishte kryeshef në këtë ndërmarrje.

Nacionale priti 1 muaj derisa ky konkurs u finalizua, dhe aty u punësua pikërisht asamblisti Zogaj. Megjithatë, ndikimi potencial në këtë konkurs, tashmë është në ‘llupën’ e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Prokuroria në një përgjigje për Nacionalen ka bërë të ditur se ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit është duke marrë veprime hetimore në drejtim të kësaj çështjeje”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Nacionalen.

Pak javë më parë, Prokuroria kishte bërë të ditur se po analizon raportimin e gazetës Nacionale.

“Ju njoftojmë se prokuroria është duke e shqyrtuar dhe analizuar konform dispozitave të KPPK-së çështjen të cilën e keni adresuar përmes këtij emaili”, thuhej në përgjigje.

Për nisjen e hetimeve, gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe me ndërmarrjen “Ibër-Lepenci”, megjithatë të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Nacionale kishte raportuar ekskluzivisht për këtë temë, me mesazhe e fotografi, se si ‘rehatohen’ militantët e asamblistët në ndërmarrje publike.

Faktet e Nacionales

Veton Zogaj përveç asamblist i VV-së, gjithashtu ka lidhje familjarë edhe me deputetin e VV-së, Adnan Rrustemi. Zogaj e ka për bashkëshorte, motrën e deputetit Rrustemi.

Zogaj i shkroi deputetit Krasniqit në mënyrë që i njëjti ta ndihmojë për punësim në këtë ndërmarrje. Kërkesa e tij ishte që Gani Krasniqi që gjithashtu vjen nga Malisheva, të intervenonte te Faruk Mujka.

“Mirëmbrëma baci Gani, shpresoj që nuk po të marr shumë kohë. Deshta të njoftoj që nesër kam plan të aplikoj në kompaninë Ibër-Lepenci në pozitën: Shef i shërbimit të burimeve njerëzore (numri i kryerësve – 1). Të gjitha kriteret për këtë pozitë i plotësoj, kryeshef i kësaj ndërmarrje është Faruk Mujka, nëse e sheh të arsyeshme të bisedosh me të që ta njoftoj lidhur me aplikimin tim. Shpresoj që nuk po të shqetësoj dhe mundoj me këtë”, thuhet në mesazhin që Veton Zogaj ia kishte dërguar deputetit Gani Krasniqi, të cilin e ka siguruar Nacionale.

Pasi lexoi mesazhin, deputeti në fjalë i premton se do t’i ndihmojë asamblistit për t’u punësuar në Ibër-Lepenc.

“Veton, e kam parë që më keni shkruar mbrëmë, por pasi s’ishte për nguti nuk t’u përgjigja. Po, gjejë rast për të biseduar me zotëriun në fjalë, vetëm duhet shikuar mos po bisedon ky shoku tjetër, me nënkuptim se sulmohemi për nepozitëm”, thuhet më tutje në përgjigjen e Gani Krasniqit.

Biseda vazhdon për ta sinkronizuar planin që të ‘rehatohet’ asamblisti i Vetëvendosjes në Ibër-Lepenc.

“Nëse mund ta takosh atë do të ishte mirë e për deputetin që mund të flas e kam bisedu me Albanin që të flas meqenëse e ka shok”, ia ktheu Veton Zogaj përgjigjen deputetit.

“Dosido do e takoj atë, por edhe Albani është si shoku i tij për këto çështje. Jo rastësisht janë shokë”, përfundoi përgjigja e fundit e deputetit Gani Krasniqi.

Nga burimet e veta Nacionale ka siguruar të gjitha vlerësimet që janë bërë në këtë konkurs. Në testin me shkrim, Zogaj ishte i dyti me 72 pikë. Megjithatë, rezultati u përmbys në intervistat me gojë. Aty, asamblisti i VV-së mori mbi 88 pikë. Bindshëm më shumë se të gjithë kandidatët e tjerë.

Automatikisht, ndërmarrja shpalli vendimin se Veton Zogaj është kandidati më i poentuar. Megjithatë, ky vendim ende nuk është bërë publik në faqen zyrtare.

Nacionale këto mesazhe i ka të siguruara që nga 4 prilli, megjithatë për shkak që të pritet deri në vendimin përfundimtar të ndërmarrjes, ato nuk janë bërë publike.

Nacionale ka kontaktuar me të gjithë personat e përfshirë në këtë hulumtim.

Asamblisti i VV-së, Veton Zogaj, tashmë i përzgjedhur për t’u punësuar në Ibër-Lepenc, ka mohuar t’i ketë shkruar deputetit Krasniqi për këtë punësim. Pavarësisht se atij iu bë me dije se gazeta posedon fotografitë, ai bëri akuza për shpifje.

“Nuk është e vërtetë kjo. Asnjë burim nuk është i vërtetë. Për ato për konkursin në ndërmarrje që po flet mundesh me shku me këqyr krejt procedurat qysh ka shku, me marrë informacione të sakta. Jo, nuk i kam shkruar. Nëse ki foto, publikoj, çfarë komunikimi kam unë me të? Ai është deputet, unë jam prej Malishevës, është koordinator i qendrës, unë jam sekretar. Unë jam asamblist, kam komunikim të rregullt”, tha në fillim Zogaj.

“Nuk është e vërtetë zotëri, janë shpifje të juaja, shko lype konkursin në ndërmarrje publike në fjalë, pyete komisionin. Le të dalin fotografitë, s’ka çka me dalë përveç konkursit në mënyrë të rregullt. Jam në mbledhje edhe a ka mundësi mos mem shqetësu me kësi far temash që i shpikni ju, edhe absolutisht nuk është kurrgjë e vërtetë, është shpifje që bëni ju si medium jo veç këtë rast po edhe 100 raste tjera. Unë kam punuar në media, po nuk bëj qysh bëni ju. Nëse ki foto publiko fakte”, deklaroi më tutje asamblisti i VV-së, Zogaj.