Premium Store
KOSOVËLAJME

AGK: Gazetarët ende në rrezik, Kosova pa progres në lirinë e medias – Komisioni Evropian shqetësohet për mungesën e zbatimit të rekomandimeve

 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas publikimit të raportit të fundit të Komisionit Evropian për Kosovën, ku konstatohet se nuk ka pasur progres në fushën e lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve, ndërsa rekomandimet e vitit të kaluar mbeten të pazbatuara.

Aquapark 2

Sipas raportit, Kosova duhet të forcojë kapacitetet e prokurorisë, gjykatave dhe policisë për trajtimin e rasteve të dhunës e kërcënimeve ndaj gazetarëve, të krijojë protokolle e trajnime për mbrojtjen e tyre, si dhe të përmirësojë kushtet e punës.

Gjatë periudhës raportuese (1 shtator 2024 – 1 shtator 2025), janë regjistruar 70 raste të sulmeve fizike dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, përfshirë pengime në punë dhe përdorim të gjuhës ofenduese nga zyrtarë të lartë, përfshirë edhe Kryeministrin gjatë fushatës zgjedhore.

Raporti kritikon mungesën e harmonizimit të legjislacionit mediatik me standardet e BE-së, vonesat në miratimin e Ligjit për RTK-në dhe mbrojtjen e burimeve të gazetarëve, si dhe anulimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) nga Gjykata Kushtetuese, që ka lënë institucionin pa kuorum dhe pa mundësi vendimmarrjeje.

Në raport theksohet se Bordi i RTK-së dhe pozita e Drejtorit të Përgjithshëm mbeten të paplotësuara, ndërsa Transmetuesi Publik përballet me mungesë fondesh dhe presione politike. Aktualisht, 75% e buxhetit të RTK-së shkon për paga, ndërsa ndërtesa nuk i përket institucionit dhe stafi teknik është reduktuar ndjeshëm.

Sektori medial në përgjithësi përshkruhet si i pasigurt financiarisht dhe i ndikuar politikisht, me mungesë transparence në pronësi dhe financim, paga të ulëta dhe kontrata të paqëndrueshme për gazetarët.

Rekomandimet kryesore të Komisionit mbeten:
• Miratimi i Ligjit të ri për KPM-në në përputhje me standardet evropiane;
• Rishikimi i Ligjit për RTK-në për të garantuar pavarësi dhe financim të qëndrueshëm;
• Emërimi urgjent i bordeve të KPM-së dhe RTK-së;
• Përmirësimi i kushteve të punës për gazetarët;
• Krijimi i protokolleve për mbrojtjen dhe sigurinë e tyre.

AGK kërkon nga institucionet që të marrin seriozisht gjetjet e raportit dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të pavarur për punën e gazetarëve në Kosovë.

Koha