Aksioni i djeshëm në 21 lokacione në rajonin e Mitrovicës: Prokuroria kërkon paraburgim për 8 persona

Policia e Kosovës dje ka zhvilluar një aksion në 21 lokacione në Mitrovicë të Jugut dhe Veriut, Leposaviq, Vushttri e Skenderaj, në lidhje me kontrabandën e armëve dhe municionit. Si rezultat I këtij aksioni 16 persona përfunduan në Polici, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Detyrimi” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Madje, në mesin e të dyshuarve ishte edhe një polic, i cili është pezulluar, ka njoftuar dje zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veri, Veton Elshani.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tetë personave që u arrestuan gjatë këtij aksioni.
“Për të pandehurit B.H., I.P., dhe O.B., është paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Detyrimi” nga neni 328 paragrafi 1 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi ,këmbimi ,ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo material plasëse nga” neni 364 paragrafi 1 lidhur neni 31 të KPRK-së,
Për të pandehurit A.S., T.R., A.B., Sh.S., dhe N.R., është paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ”Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi ,këmbimi ,ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo material plasëse” nga neni 364 paragrafi 1 lidhur neni 31 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Si dëshmi materiale gjatë kontrollit janë sekuestruar 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, 2 palë pranga, thikë, tyta të armës, fatrolla për armë dhe 1 DVR.








