
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka dhënë një intervsitë të gjatë në medien serbe “Kosovo Online”, ku natyrshëm ka folur për shumë tema, përfshirë sulmin në Banjskë të Zveçanit e nevojën për formimin e Asociacionit. Në fakt, ambasadori gjerman ishte goxha i qartë në deklarimet e tij për mediumin serb. Çka tha ambasadori Rohde?
I pyetur për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë në krye të detyrës një polic kosovar dhe u eliminuan tre anëtarë serbë të grupit të armatosur, Rohde e cilësoi si sulm terrorist. Ambasadori deklaroi se Banjska ka ndryshuar gjithçka.
“Banjska ndryshoi gjithçka. Ishte një sulm terrorist. Këta nuk ishin qytetarë të pakënaqur, por kishin raketahedhës, automatikë, granata… Jemi ende në kërkim të autorëve të dyshuar që duhet të dalin para drejtësisë. Vetë Milan Radoiçiq tha se është përgjegjës, por ende nuk ka përgjegjësi, nuk mund të pranojmë parimin e mosndëshkimit. Nëse kryen një krim, duhet të gjykohesh. Shpresojmë se Serbia është duke punuar në këtë”, ka deklaruar Rohde në një intervistë për Kosovo Online.
Madje, për ambasadorin Rohde ngjarja në Banjskë ishte e paimagjunueshme.
“Personalisht, nuk mund ta imagjinoja se do të ndodhte diçka e tillë, dhe për këtë arsye NATO e shtoi praninë e saj dhe Gjermania do të bëjë të njëjtën gjë me një kontingjent të ri nga maji. Ajo që duam është paqe dhe stabilitet. Sulmet si ky janë saktësisht e kundërta e kësaj. Nëse nuk dënohen autorët e sulmit në Banjskë, si mund të rritet besimi mes dy vendeve. Kjo ishte një punë e madhe dhe me të vërtetë autorët duhet të ndëshkohen.” – shtoi ambasadori Rohdë për këtë temë.
Në intervistën e tij, Rohde vlerësoi se ka ardhur koha që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. I pyetur nëse ka ardhur koha që Asociacioni “më në fund të themelohet”, ambasadori gjerman u përgjigj si më poshtë:
“Po. Ky është një obligim i Kosovës nga viti 2013 dhe 2015, i cili ende nuk është realizuar. Ju i keni parë njoftimet e Quintës, por edhe të Gjermanisë, çfarë kemi thënë publikisht. Kosova tha se është e gatshme ta pranojë këtë propozim të përfaqësuesit special të BE-së, të cilin ne e mbështesim plotësisht. Siç e dini, Serbia deri më tani ka refuzuar të nënshkruajë dhe tani jemi në ngërç. Lajçak po punon shumë për ta tejkaluar këtë situatë, sepse në fund na duhet një zgjidhje që të gjitha institucionet paralele të integrohen dhe që serbët në Kosovë të ndihen si në shtëpinë e tyre dhe të jenë pjesë e shoqërisë.”
Ambasadori Rohde e bëri të qartë që Gjermania e përkrah transformimin e FSK-së në ushtri.
“Për ne Kosova është shtet i pavarur dhe ka të drejtën e forcave të sigurisë. Ne kemi një atashe ushtarak në Prishtinë dhe Kosova ka një atashe ushtarak në Gjermani. Ne e mbështesim këtë transformim dhe do të vazhdojmë ta mbështesim atë.” – ka theksuar ambasadori gjerman.
Ambasadori gjerman e ndërlidhi respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit me anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
“Tash për tash çdo qeveri e Kosovës nuk e ka zbatuar këtë vendim. Ndonjëherë duhet kohë për të bërë gjënë e duhur, por nuk shoh se kandidatura e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës do të zbatohet me sukses nëse kjo çështje nuk zgjidhet.” – ka sqaruar ambasadori gjerman.
Në fund, ambasadori i Gjermanisë vlerësoi se nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, atëherë do të ketë një konflikt të ngrirë.








