
Dialogu për normalizim të marrëdhënieve “nuk duhet të mbingarkohet me kushtëzime tjera” sepse ashtu në gjendjen siç është ka vështirësi të mëdha.
Kështu na tha ambasadori gjerman, Jorn Rohde, në një intervistë me Nacionale referuar kushtëzimeve të reja të bëra dje nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel, për çka edhe u pamundësua një takim trepalësh.
Optimist megjithatë mbetet Rohde, kur thotë se “palët e dinë që qasja konstruktive sepse është parakusht për të marrë pjesë në Planin e Rritjes” të BE-së, përkatësisht Fondin gjashtë miliardë eurosh për rajonin; disbursimi i parë i mjeteve i të cilit supozohet të kryhet në fillim të muajit korrik.
Kurti dhe Vuçiq dje nuk u takuan dhe për Rohden kjo “është fatkeqe” teksa thotë se gjendja është e atillë që “Serbia po vazhdon të shkel Nenin 4” të Marrëveshjes Bazike për moskundërshtim të Kosovës në orgnizata ndërkombëtare ndërsa, kjo e fundit “nuk po lëviz para me Asociacionin”.
“Është e dukshme që Neni 4 nuk po respektohet…nga Kosova pritet që të lëviz te ky Asociacioni i famshëm ose famëkeq”, tha Rohde.
Diplomati gjerman, referuar kushtëzimeve të reja të Kurtit i thotë këtij të fundit se “duhet vullnet minimal për kompromis” dhe se kjo “në veçanti, kur ju doni të bëheni anëtarë të një maçinerie kompromisi që është Bashkimi Evropian”.
Rreth planit të fundit të BE-së se “Kosova duhet të nis procedurat për Asociacionin, dhe Serbia të njohë dokumentet, institucionet dhe simbolet shtetërore të Kosovës”, Rohde na thotë se Gjermania qëndron “në mbështetje të plotë” të përpjekjeve të Josep Borrellit dhe Miroslav Lajçakut.
Nacionale: Pra, Gjermania nuk mbështet këmbënguljen e Kurtit që draft-Statuti të mos mund të jetë jashtë “Pakos”, siç thoti ai, “por, vetëm brenda paketës – dhe, paketa, duhet të nënshkruhet”.
Rohde: “Pozicioni i Gjermanisë, dhe mund t’jua citoj, e mbani mend, pak para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të KiE-së: pati një letër të përbashkët nga Presidenti Macron, Kryeministrja Meloni, Kancelari Scholz saktësisht në këtë çështje. Letra thotë: ka rrezik të madh që nuk do t’i ketë Kosova 2/3 të votave të shumicës nëse Kosova nuk lëviz para me Asociacionin; dhe kjo lëvizje para do të thotë të dërgohet draft-Statuti (i BE-së) në Gjykatë Kushtetuese. Ka pasur shumë komente tash që nuk mundemi ta bëjmë, le të dërgohet në Komision të Venecias. Po, Kosova është anëtare e Komisionit të Venecias, mund ta dërgojnë vetë në Komision të Venecias, por mund ta dërgojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese të tyre. Dhe, kjo është pritja jonë”.
Ndërprerë nga Naconiale duke ia rifrazuar Kurtin për draft-Statutin si “non-paper”, “jo-dokument” apo “si letër pa autor”, Rohde na thotë “më lejoni pra tash edhe unë t’ia rifrazojë letrën e Scholz, Meloni, Macron”.
“As s’kam çka i shtoj kësaj”, na thotë Rohde teksa lexon letrën e tre liderëve të shteteve më të fuqishme të BE-së se draft-Statuti i BE-së për Asociacionin ka mbështetjen e madhe të tyre dhe se, në fakt, është kusht i paevitueshëm për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës.







