KOSOVËLAJME

Ambasadori italian në Beograd: S’është momenti që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Europës, Asociacioni element kyç

Ambasadori italian në Beograd, Luca Gori ka thënë se ende nuk ka ardhur koha për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës duke theksuar se për një gjë të tillë është i domosdoshëm përparimi thelbësor në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ky është qëndrimi që ka mbajtur Italia së bashku me Francën, Gjermaninë dhe shtetet e tjera anëtare të BE-së dhe këtë po përpiqemi ta arrijmë në Strasburg”, tha Gori për Tanjug në lidhje me kërkesën për shtyrjen e vendimit të Këshillit të Europës për anëtarësimin e Kosovës.

Market Florenti
Florenti Company
Koha

Ai shtoi se qëndrimi i Italisë është shumë i qartë dhe se Roma beson se Asociacioni është element kyç për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Prandaj jemi të bindur se nëse nuk ka progres substancial në lidhje me këtë qëllim, nuk është koha e duhur për t’u marrë me apo për ta vënë në agjendë çështjen e kandidaturës së Kosovës për Këshillin e Europës”, ​​tha ambasadori italian.

I pyetur për hapat që po i ndërmerr Italia për ta shtyrë anëtarësimin e Kosovës në KiE, ai tha se tashmë janë ndërmarrë hapa në Strasburg në koordinim me vendet e tjera anëtare të BE-së.

“Ne po mundohemi t’i inkurajojmë autoritetet e Kosovës që të bëjnë përparim në çështjen e Asociacionit, por deri më tani nuk kemi parë ndonjë përparim”, tha Gori dhe ritheksoi se qëndrimi i Italisë është se nuk është ende momenti i duhur për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të mërkurën se nuk do ta çdojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, duke përmendur se ky i është paraqitur si kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE këtë muaj.