Andin Hoti reagon pas emërimit ministër: As kush nuk ma imponon bindjen, nuk e shes dhe nuk e ndërroj

Pasi Albin Kurti e prezentoi Andin Hotin si Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Hoti ka reaguar publikisht përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, ku është shprehur lidhur me reagimet e shumta që kanë pasuar emërimin e tij, shkruan Mitropol.
Në fillim të reagimit, Hoti thekson se ndjehet i detyruar të dalë nga heshtja e tij e zakonshme për të sqaruar disa bindje personale, duke falënderuar për urimet dhe reagimet e sinqerta, por edhe duke u ndalur te kritikat që, sipas tij, kanë kaluar kufijtë e respektit.
“Shprehje si: ‘Deri sot kam pas respekt për ty si djalë i Ukshin Hotit, por prej sot jo më’, ‘E korite emrin e babës’, ‘Të ka përdorur pushteti’, janë fjalë që nuk tregojnë as shqetësim, as dashuri për idealin, por zhveshin nga çdo vlerë njerëzore respektin e rremë që disa paskan pasur,” ka shkruar ai.
Djali i veprimtarit të njohur, Ukshin Hoti, ka thënë se është “e neveritshme kur dikush e lidh respektin ndaj një njeriu me bindjen e vet politike”, duke shtuar se nuk do të lejojë që askush t’ia imponojë bindjet.
“As ju, as askush tjetër, nuk ma imponon bindjen. Nuk e shes, nuk e ndërroj dhe nuk e negocioj. Unë jam aty ku dua të jem, ku e shoh të drejtë të jem, ku mendoj se mund të jap kontributin tim për vendin,” ka deklaruar Hoti.
Ai ka kujtuar edhe periudhën pasluftës, duke thënë se në ato vite familja e tij ka kaluar shumë sfida, ndërkohë që një pjesë e atyre që sot e kritikojnë nuk kishin treguar as interesim për familjen Hoti.
Në fund të reagimit, Hoti ka theksuar se nuk do të pranojë më që heshtja e tij të interpretohet si dobësiy
“Ndoshta mirësjellja ime e tepruar, ndoshta heshtja ime e gjatë ka krijuar përshtypjen se unë jam tabelë qitjeje. Por jo, nuk jam. Thjesht kam dashur të ruaj respektin, edhe kur ai ishte i rremë.”, tha ai.








