Ankesa për prani të personave të vdekur edhe 20 vite më parë në listat e votuesve në Mitrovicë

Disa qytetarë mitrovicas janë ankuar në redaksi të “Mitropol” se në listat e votuesve kanë parë prani të emrave të personave të vdekur vite më parë.
Një nga qytetarët që kontaktoi me “Mitropol” tha se në listën e votuesve në klasën me numër 12 në pikën e votimit në Shkollën Teknike që ishte qendra më e madhe e votimit të Mitrovicë pa emrin e axhës së tij të vdekur para 12 vitesh.
Qytetari me mbiemër Kurteshi tha se u sigurua që personi i vdekur në listë ishte axha i tij kur e pa se edhe data e lindjes përkonte me datën e lindjes së xhaxhait të tij të ndjerë, i lindur në vitin 1962.
Një rast tjetër i regjistruar në Mitrovicë është rasti i një gruaje e cila tha se pa emrat e shumë prej familjarëve të vdekur në listën e votuesve, duke ngritur alarmin se është krijuar hapësirë e madhe për keqpërdorime.
Ajo tha se si përgjigje për ankesën e saj mori vetëm fjalët “Nuk kemi gisht ne në këtë punë”, nga zyrtarët e KQZ-së që po mbarëvanin procesin e votimit dje.
Sipas qytetares, emri i babait të saj që ka vdekur para 20 vitesh por edhe i nënës së ndjerë para 1 muaji po figuronin në listat e votuesve. Veç tyre, qytetarja tha se pa edhe emrat e axhallarëve që i kishin vdekur vite më parë.
Kujtojmë se në këto zgjedhje, në lista ka 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, ishte 104 mijë e 924.
Nga 1.6 milion banorë prej regjistrimit të fundit të popullsisë, numri i qytetarëve mbi 18 vjeç në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në Kosovë është 1 milion e 179 mijë e 73./Mitropol/