Premium Store
KOSOVËLAJME

Anulohet vendimi për shkarkimin e u.d. të kryeprokurorit Besim Kelmendi

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar ankesën e paraqitur nga Besim Kelmendi, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, dhe ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK.nr.1056/2025), të datës 20 nëntor 2025, si të kundërligjshëm. Lënda i është kthyer KPK-së për rishqyrtim dhe rivendosje.

Në vendimin e saj, Gjykata Supreme ka vlerësuar se ankesa ishte e bazuar, sipas nenit 15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Dukato 1

Sipas Gjykatës Supreme, vendimi për shkarkim ishte marrë mbi pretendime se U.D. Kryeprokurori, përmes deklarimeve në Këshill dhe media, kishte shprehur qëndrim të njëanshëm, që sipas KPK-së kishin denigruar pozitën e tij dhe kishin cenuar besimin e sistemit prokurorial dhe të publikut. Gjykata Supreme ka vlerësuar se këto pretendime nuk e justifikonin vendimin e KPK-së dhe se ai ishte marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe Kodin e Etikës Profesionale për Prokurorë.

“Vendimi i atakuar është i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë, sepse është kontradiktor në vetvete nga fakti se ku mbështetet një vendim i tillë (baza ligjore), dhe kjo krijon pasiguri se si ka mundësi një organ i tillë të merr vendime pa bazë ligjore specifike dhe referuar në dispozita që nuk i japin autorizime të veprojë në formën dhe mënyrën se si ka vepruar. Pra është procedurë e pa mbështetur në ligj dhe atë që nga fakti i rendit të ditës, caktimit të të njëjtit, ndryshimit të rendit të ditës, votimit, procedimit, përfundimit, rihapjes apo takimit të ri deri te vendimi i atakuar për shkarkim,” thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Ky vendim i Gjykatës Supreme rikthen lëndën në KPK për rishqyrtim, duke lënë të hapur mundësinë e rivendosjes së çështjes në përputhje me ligjin.

Kelmendi ishte shkarkuar më 20 nëntor nga Këshilli Prokurorial, me pesë vota pro edhe pse KPK-ja ka 10 anëtarë. Vendimi ishte marrë pas dëshmisë së tij të dhënë për masakrën e Reçakut. Kelmendi i pati mohuar raportimet se ka qenë bashkëpunëtor i gjyqtares hetuese të rastit të Reçakut.

Active