
Kandidati për kryetar të Mitrovicës në zgjedhjet e fundit lokale, Arian Tahiri, ka konfirmuar sot se do të jetë pjesë e listës së PDK-së për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, ku do të garojë me numrin 30.
Tahiri njoftoi vendimin përmes një postimi, ku theksoi se beson plotësisht në kandidatin për kryeministër të PDK-së, Bedri Hamza, duke shtuar se synon të kontribuojë jo vetëm për Mitrovicën, por për të gjithë vendin.
“Të dashur qytetarë, me kënaqësi ju njoftoj se kam vendosur të jem në listën e PDK-së për Kuvendin e Kosovës, me besim të plotë se Bedri Hamza i duhet vendit tonë. Përveç Mitrovicës, ndjej se kam energji dhe dëshirë të kontribuoj për të gjithë vendin tim. Në listë më gjeni me numër 30! Faleminderit për besimin dhe përkrahjen!”, ka shkruar Tahiri.
Me këtë vendim, Arian Tahiri zyrtarisht i bashkohet garës për deputet, duke synuar të përfaqësojë Mitrovicën dhe PDK-në në Kuvendin e Kosovës.







