Arjeta Fejza ishte me Hysnin Mehanin kur ndodhi sulmi: Sulmi ndaj Hysni Mehanit është i papranueshëm

Ish-deputetja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Mitrovica, Arjeta Fejza, ka reaguar pas incidentit të ndodhur sot në një kafeteri në qendër të Skenderajt, ku sipas LVV-së u sulmua fizikisht zëvendësministri i Financave dhe kryetari i Qendrës së kësaj partie në Skenderaj, Hysni Mehani.
Përmes një reagimi publik, Fejza tha se ishte e pranishme në momentin kur ndodhi përleshja, derisa po pinin kafe në qendër të qytetit.
“Sot, teksa po pinim kafe në qendër të Skenderajt, isha e pranishme kur ndodhi një sulm i papranueshëm fizik nga Sami Lushtaku ndaj Hysni Mehanit, ndërsa aktivistin Bahri Zabeli e sulmoi grupi i tij”, deklaroi ajo.
Sipas saj, dhuna e ushtruar ndaj Mehanit dhe sekretarit të Qendrës së LVV-së në Skenderaj, Bahri Zabeli, është e rëndë dhe e papranueshme në një shoqëri demokratike.
“Ngjarje të tilla nuk mund dhe nuk duhet të normalizohen”, theksoi Fejza, teksa kërkoi nga organet e drejtësisë që rasti të trajtohet me urgjencë dhe të ndërmerren veprime ndaj përgjegjësve.
Ajo shtoi se sulmet e tilla nuk do ta ndalin aktivitetin politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Ndryshe, për rastin reagoi më herët edhe vetë LVV, e cila pretendoi se incidenti ndodhi në kafeterinë “Solo” në Skenderaj, ku Mehani ishte duke qëndruar bashkë me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të partisë.
Sipas versionit të LVV-së, Mehani fillimisht u godit me grusht e më pas edhe me gotë në kokë, ndërsa partia pretendon se në incident janë përfshirë kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe truprojat e tij. LVV ka bërë të ditur se Mehani ka marrë trajtim mjekësor pas ngjarjes, njofton Mitropol.
Pas reagimeve të LVV-së, ka reaguar edhe Sami Lushtaku, i cili përmes një statusi ka deklaruar se, sipas tij, “pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot ta sulmojë në Skenderaj”, duke shtuar se qytetarët “nuk i tolerojnë më” etiketimet ndaj tij.







