
Arkitekti i njohur nga Mitrovica, Fejzullah Haxhani, i cili po punon edhe në përpilimin e planprogramit të kandidatit të LDK-së për kryetar të Mitrovicës, Armend Agollit, ka propoozuar hapjen e degëve të lumit Lushta, shkruan Mitropol.
Haxhani, ka theksuar se është e pamundur hapja totale e lumit Lushta, mirëpo hapja e disa degëve të këtij lumi është e mundshme dhe lehtë e realizueshme.
Arkitekti i njohur ka shtuar se është e mundur të hapet një pjesë e lumit Lushta nga xhamia qendrore në Mitrovicë deri tek lokacioni ku ishte i vendosur hoteli “Adriatik”.
Këtë propozim Haxhani e ka bërë përmes një postimi në facebook, postimi i plotë më poshtë:
RIHAPJA E LUMIT LUSHTA
Lumi i Lushtës ka gjatësi rreth 19 km dhe është degë e djathtë e Lumit të Ibrit. Pjesa e cila përshkonte qytetin pothuajse përmes tij kishte shtratin e ndërtuar prej materialit guror dhe me dukje relativisht të ngjashme me shtretërit e Lumbardhit të Prizrenit dhe Pejës. Ndërmjet dy brigjeve të lumit ekzistonin 4 – 5 ura të forta që lidhnin komunikacionin e atëhershëm të qytetit dhe me dhjetëra ura të ngushta lidhëse nga materialet drunore. Në disa pjesë të saj e me theks të veçantë nga shkolla Çajupi e deri te Muzeu lumi ofronte peisazhe gjelbëruese të bukura. Një pjesë e madhe e qytetarëve e kujtojnë me nostalgji edhe përkundër faktit se në periudha të caktuara kohore 7-8 vjeçare shkaktonte vërshime si rezultat i dëmtimeve të pjesshme të mureve të shtratit dhe lartësisë së pamjaftueshme të tyre.
Në të kaluarën e afërt përafërsisht rreth katër dekada më parë një pjesë e lumit e cila kalonte nëpër zemër të qytetit në gjatësi 1.4 – 1.5 km (pjesa nga ura e Lushtës e deri në derdhje te lumi Ibër) është futur në kanalet e mbuluara të betonit dhe mbi to u realizuan rrugët e asfaltuara një pjesë e të cilave i përket arteries kryesore rrugore të qytetit të Mitrovicës.
Që nga ajo kohë e deri në ditët e sotme shumë shpesh hasim në pyetjen:
A ka gjasa të hapet përsëri shtrati i lumit Lushta?
Jo nëse nuk mirremi më asnjëherë me të.
Po nëse trajtohet me çasje serioze dhe hapat e duhur.
Propozim IDEA FILLESTARE
Duke u bazuar në analizën e gjendjes ekzistuese në teren shtrati ekzistues nëntokësor i lumit Lushta nuk mund të rihapet pasi mbi pjesën dërmuese të saj shtrihen rrugët kryesore të qytetit. Mirëpo idea e krijimit të lumit fragmentar në disa pjesë të kësaj zone jo vetëm se është e realizueshme por përmes shtratit të rregulluar, urave të vogla për këmbësorët , oazave gjelbëruese dhe pushuese si dhe peisazheve do të shëndrohej në atraksion urban dhe rikthim të një identiteti të humbur urban. Pjesa më atraktive e fragmentit të lumit në gjatësi rreth 350 – 400 m’ do të shtrihej nga cepi i sheshit të xhamisë kryesore deri te ish hoteli Adriatik.








