Në një takim urgjent, Josep Borrell – kryediplomati i BE-së – u tha ministrave të shqetësuar të Jashtëm të 27 vendeve anëtare të bllokut, se ishte momenti për të bërë diçka që më parë konsiderohej si gjë e pamundur: përdorimi i parave të përbashkëta të BE-së për të blerë armë për Kievin.

“Çështja ishte”, kujton ai në një intervistë, “nëse ne ishim në gjendje që t’i përdornim këto para për ta ofruar mbështetjen për Mozambikun, Malin apo këdo tjetër, çka dreqin nuk mund ta bëjmë këtë për Ukrainën”?

Market Florenti
Florenti Company
KL
Koha

“Ma shpjegoni?”, pyeti të pranishmit. “Sepse ne nuk ofrojmë armë vdekjeprurëse? Epo, nuk ofrojmë armë vdekjeprurëse nëse nuk ka luftë. Nëse ka luftë, ata kanë nevojë për armë vdekjeprurëse, apo jo”?

Në takimin e 27 shkurtit 2022, zyrtarët e BE-së e shtruan propozimin. Ishin 50 milionë euro në një fond së fundmi të krijuar – Fondi Evropian i Paqes (EPF) – që mund të vihej në dispozicion për Ukrainën.

“Thashë: 50 milionë? Unë po flas për luftën!”, tallet Borrelli, duke tundur kokën. “Hidhni 500”, u përgjigj ai. “Nuk ishte e mjaftueshme, por 500 kaluan”.

Të nesërmen, unioni – paratë e të cilit më parë njiheshin për subvencionimin e fermerëve francezë të qumështit dhe të autostradave polake – i dërgonte për në Ukrainë armët e financuara nga EPF-ja, dhe nisi të ndihmojë luftën kundër Rusisë.

Prej nga vjen ndihma për Ukrainën?
ShBA (73.2 miliardë euro), Gjermania (13.5 miliardë euro), Britania e Madhe (8.3 miliardë euro), Franca (7.7 miliardë euro), Italia (5.5 miliardë euro), Polonia (5 miliardë euro), Spanja (4.5 miliardë euro), Holanda (4.1 miliardë euro), Kanada (4 miliardë euro), Suedia (2 miliardë euro), Austria (1.7 miliard euro), Danimarka (1.6 miliard euro), Belgjika (1.5 miliard euro), Çekia (1.1 miliard euro), Portugalia (967 milionë euro), Finlanda (945 milionë euro), Irlanda (762 milionë euro), Greqia (686 milionë euro) …

Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, këtë e ka quajtur si “moment vendimtar”. Ndërsa, Charles Michel, president i Këshillit Evropian, tha se kjo “tregon se Evropa ka kapacitet real për ndikim dhe për fuqi, në shërbim të paqes dhe në shërbim të vlerave tona”.

Fjalët e tyre mirë u poqën. Këto 500 milionë euro të fillimit u rritën në 3.1 miliardë euro, duke ndihmuar në financimin e të paktën 325 tankeve, 36 helikopterëve sulmues dhe më shumë se 200 sistemeve raketore me lëshime të shumëfishta. Meqë EPF-ja nuk e mbulon 100 për qind të shpenzimeve, është një efekt shumëzues: zyrtarët e BE-së thonë se kanë marrë kërkesa për rimbursim për më shumë se 6.9 miliardë euro për armët e dërguara në Ukrainë. Më shumë para do t’i ndahen fondit për të mbajtur sigurt valën e mbështetjes që BE-në e bëri donatorin më të madh ushtarak për Ukrainën – pas ShBA-së.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, në harkun kohor prej 12 muajsh, e ka rishkruar politikën evropiane të mbrojtjes. Dekadat e angazhimit me Moskën, përmes tregtisë, investimeve dhe diplomacisë, me besimin se do ta ndalonte Kremlinin të kërcënonte sigurinë e kontinentit, u shfaqën si një gabim monumental.

Brezi i shkurtimeve individuale qeveritare për shpenzimet e mbrojtjes, është zëvendësuar nga nxitimi i paprecedentë për t’u riarmatosur. Tërheqja e trupave dhe armëve amerikane nga Evropa, që nga fundi i Luftës së Ftohtë, papritmas ka kah të kundërt. Por, më shumë sesa lëvizjet e EPF-së, asnjë vendim i vetëm nuk e përmbledh përshtatjen e Evropës me realitetin e saj të ri.

Sipas traktateve themeluese të BE-së, ndalohet përdorimi i parave të BE-së për blerjen e armëve. Tri nga anëtaret e saj janë neutrale në aspektin kushtetues. Përfshirja në konflikt prej kohësh ka qenë vijë e kuqe për Brukselin, ku më parë mendohej për tarifat e importit dhe rregulloret sanitare si shkopinjtë më të mprehtë të armaturës së politikës së jashtme. Sigurimi i armëve të dedikuara për të vrarë ushtarët nga Rusia, rivalit me armë bërthamore me të cilin gjatë dekadave janë përpjekur të miqësohen, do të konsiderohej si diçka qesharake.

“Ishte e paimagjinueshme”, thotë Kusti Salm, sekretar i përhershëm në Ministrinë e Mbrojtjes të Estonisë. “Njerëzit kishin frikë madje të flisnin për këtë: ndihma vdekjeprurëse nga … institucionet e BE-së? Ishte diçka si ai elefanti i madh në dhomë, për të cilën askush nuk fliste”.

“Krahasuar me atë ku ishim, [vendimi për të armatosur Ukrainën] padyshim që ishte mrekulli”, shton ai. “Dhe, mendoj se ky është suksesi mbi të cilin ne duhet të zhvillohemi”.

Kur Borrelli, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, nisi t’i telefononte vendet anëtaret me idenë për të filluar blerjen e armëve për Ukrainën, u prit me mosbesimin.

“Shiko, a po pranon ta përdorësh Objektivin Evropian të Paqes për ta armatosur Ukrainën? Dhe: heshtje”. kujton ai. Por, Borrelli thotë se e dinte se ky ishte një moment depërtues, duke shtuar: “Ajo tabu u thye”.

Çfarë dërgoi EPF-ja në Ukrainë?

E themeluar vetëm 11 muaj më parë, EPF-ja ishte fond prej 5.7 miliardë eurove, i krijuar për të ofruar pajisje jovdekjeprurëse për vendet e treta që kanë nevojë për mbështetje sigurie. Në dhjetor 2021, ndau pajisje mjekësore dhe inxhinierike në Gjeorgji, në Mali, në Moldavi dhe në Ukrainë. Megjithatë, edhe ata kamionë, helmetat dhe kompletet e ndihmës së parë u ndeshën me akuzat nga anëtarët e majtë të Parlamentit Evropian, të cilët këtë e shihnin si diçka jashtë kompetencave të BE-së.

Por, ngjarjet e 24 shkurtit gjithçka ndryshuan.

“Ishte një paralizë, për shkak të luftës”, thotë Charles Fries, zëvendëssekretar i përgjithshëm në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm, që ishte i pranishëm në takimet fillestare kur zyrtarët përpiqeshin ta gjenin mënyrën se si të përgjigjeshin. “Dhe, e përdorëm këtë atmosferë paralize për t’i bindur vendet anëtare se duhet të vendosin për këstin e parë prej 500 milionë eurove. E përcaktuam këtë për tri orë”.

Ishin të dyfishta kundërshtimet e ngritura ndaj propozimit të Borrellit. Së pari, se sipas traktateve kjo ishte e ndaluar. Dhe, së dyti, se Parlamenti Evropian nuk do ta votonte kurrë miratimin e saj.

Borrelli i kundërshtoi të dy ato. EPF qëndron jashtë buxhetit formal të BE-së, si fond i siguruar drejtpërdrejt nga shtetet anëtare dhe kështu, tha ai, përtej kompetencave ligjore të traktateve. Dhe, sa i përket Parlamentit, vazhdoi ai – duke folur si ish-kryetar i asaj organizate – çfarë kompetencash kishte mbi paratë e tyre?

Të gjithë anëtarët e unionit paguajnë në fond, duke e përdorur një formulë të bazuar në madhësinë e vet ekonomike. Anëtarët më pas kërkojnë rimbursime për ato që dërgojnë. Austria, Irlanda dhe Malta, shtetet neutrale të bllokut, gjithashtu kontribuojnë por, që nga shkurti, paratë e tyre janë përkufizuar për furnizimet jovdekjeprurëse.

Orkestrimi i mbështetjes së EPF-së për Ukrainën drejtohet nga një zyrë që gjendet brenda ndërtesave të qelqit dhe të çelikut të Komisionit në Bruksel.

Zyra merr kërkesa nga ushtria ukrainase, duke i detajuar listat specifike të pajisjeve që urgjentisht nevojiten. Zyra më pas e dërgon një kërkesë për të gjitha shtetet anëtare, për t’u siguruar që ata që e kanë atë mjet të veçantë ta dorëzojnë në Ukrainë. Ky sistem i centralizuar ndihmon në shmangien e një situate ku shtetet anëtare dërgojnë – dhe rimbursohen për – armët që Kievit nuk i duhen.

“Kujdesemi që pajisjet të përputhen me nevojat e shprehura nga Ukraina”, thotë Fries. “Dhe, së dyti, kujdesemi që pajisjet që janë dorëzuar, janë në Ukrainë … Dhe, pasta rimbursojmë në bazë të vlerës.”

Përcaktimi i vlerës është gjë komplekse. “Duhet të vendosni se sa është vlera e këtij tanku T-72?”, thotë Borrell, duke iu referuar një tanku të prodhimit sovjetik që shumë shtete lindore të BE-së ia dhanë Ukrainës nën EPF-në. Për armët si tanket, ekipi i Borrell kontrollon gjithçka, që nga mosha e pajisjeve e deri te numri i kilometrave në matës. “Duhet të bëjmë pazar, për të parë se sa duhet të paguajmë,” shton ai.

Shumica e zyrtarëve e pranojnë se tipari më i rëndësishëm i vendimit për ta përdorur EPF-në për ta armatosur Ukrainën, nuk është financimi i drejtpërdrejtë që ofron, por ombrella kolektive që krijoi në gjithë BE-në në aspektin e mbështetjes së përpjekjeve të luftës. Vetë Borrelli e krahason atë me “paratë e mbjella”, financimi fillestar për bizneset nismëtare përpara se t’i tërheqin investitorët më të mëdhenj ose të gjenerojnë fluks të lirë të parave.

“Menjëherë [pasi paratë e EPF shkuan në Ukrainë], Polonia, vendet baltike dhe të tjerët filluan të ofrojnë mbështetje dypalëshe, sepse sapo u shkel rregulli ata thanl: ‘Në rregull, mund ta bëj këtë’”, thotë Borrell.

Si rezultat, shuma totale e mbështetjes ushtarake të ofruar për Ukrainën nga vendet e BE-së, si në mënyrë dypalëshe ashtu edhe përmes EPF-së, është 14.3 miliardë euro sipas Institutit Kiel. 41 miliardë euro të tjera janë dhënë në ndihmë financiare dhe humanitare.

“Ka shumë gjëra të ndryshme që ndodhin në nivele të ndryshme dhe EPF-ja, si një shtresë iniciative, përshtatet me atë kontekst më të gjerë”, thotë Richard Youngs, bashkëpunëtor i lartë në Carnegie Europe. “Vepron si simbol që inkurajon akterët tjerë të vijnë dhe të ofrojnë ndihmë ushtarake, sepse ata ndiejnë se ka mbulesë më të gjerë evropiane”.

Marrëdhënia e BE-së me sigurinë e saj ka një histori të ndërlikuar. Përpjekjet e përsëritura për të rënë dakord për mënyrën më të mirë për të bashkuar asetet ushtarake të anëtarëve, përfunduan në dështime ose kompromise të paefektshme.

Franca, fuqia e saj e vetme me armë bërthamore dhe anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vitet e fundit është përpjekur të krijojë një politikë të mbrojtjes që mbështetet në BE-në. Më shumë anëtarë atlantikë, si Polonia dhe Holanda, e kanë kundërshtuar çdo përpjekje të Evropës për të sfiduar supremacinë e NATO-s, të aleancës ushtarake të udhëhequr nga ShBA-ja.

Ky ishte zëvendësim i gjithë atij besimi të rrënjosur thellë në Bruksel se BE-ja – e konceptuar pas Luftës së Dytë Botërore – ishte kryesisht organ tregtar i krijuar për të përforcuar bashkëpunimin paqësor mes vendeve evropiane të cilat nuk kishin dëshirë të përfshiheshin në konflikt, dhe sigurisht jo në konflikt me vendet joanëtare.

Neni 41.2 i Traktatit të Lisbonës për BE-në, gjëja më e afërt që BE-ja ka me kushtetutën, thotë se “shpenzimet që rrjedhin nga operacionet që kanë implikime ushtarake ose të mbrojtjes”, nuk mund të ngarkohen në buxhetin e saj të përbashkët.

Por, që nga pushtimi i Rusisë, blloku ka adoptuar një qëndrim të ri. Krahas financimit të dërgesave të armëve, EPF-ja trajnon gjithashtu rreth 30 mijë trupa ukrainase nëpër kampet në Poloni dhe në Gjermani, sërish dhe për herë të parë në një konflikt aktiv.

Ajo ka lëvizur gjithashtu në financimin e prokurimin të përbashkët të armëve mes vendeve anëtare. Politika e mbrojtjes dhe e sigurisë për të cilën ra dakord gjatë vitit e kaluar, kërkon forcën e “dislokimit të shpejtë” – prej pesë mijë trupave – dhe formimin e aseteve të reja të mbrojtjes kibernetike dhe hapësinore.

Kjo qasje, vëren Youngs, binte ndesh me ndryshimin më të gjerë të vendeve perëndimore që bëheshin më pak të gatshme për të marrë pjesë në konfliktet reale, një prirje e ilustruar më së miri nga evakuimi katastrofik i trupave perëndimore nga Afganistani në vitin 2021 dhe përpjekjet e pakësuara për të ndikuar në luftërat në Siri dhe në Libi.

“Nëse e shikojmë periudhën para shkurtit të vitit të kaluar, prirja ishte më shumë drejt kujdesit dhe formave shumë më të kujdesshme dhe pa efekt të angazhimit në situatat e konfliktit”, thotë Youngs.

Por, lufta e parë pushtuese në kontinentin evropian, që nga viti 1945, në një vend që kufizohet me katër shtete të BE-së, ishte e pamundur të injorohej.

“Askush në Bashkimin Evropian nuk është nxitës i luftës. Jemi institucion paqësor”, thotë Borrell. “Por, që në fillim, kur erdha në këtë post, thashë se [përgjegjësia ime] është politika e jashtme dhe e sigurisë”.

Pushtimi i Rusisë, thotë Borrelli, ia bëri të qartë BE-së se “duhet ta tregosh fuqinë dhe se duhet të hakmerresh”.

“BE u bazua në refuzimin e idesë së fuqisë”, shpjegon ai. “Nuk bëjmë luftë. As nuk ju detyrojmë. Ne thjesht tregtojmë me ju. Ne predikojmë dhe tregtojmë.”

“Dhe tash … i trajnojmë ushtarët dhe i armatosim ata”, shton Borrell, duke vënë në dukje se i vetmi hap i mbetur është pjesëmarrja aktive.

Ndryshimet dramatike të politikës në një kohë kaq të shkurtër, nuk kalonin pa rezistencë dhe pengesa.

Hungaria, që ka pasur marrëdhënie më të ngushta me Moskën sesa shumica në BE dhe që ka një histori të paqartë me Ukrainën lidhur me trajtimin e pakicës së saj hungareze, shtroi kundërshtimet fillestare për përdorimin e EPF-së në luftë.

Por, Budapesti përfundimisht u dorëzua, nga frika se do të ekspozohej si shteti i vetëm anëtar opozitar dhe ra dakord të paguante kontributet në EPF – me kushtin që armët e dërguara në Ukrainë nuk do të kalonin tranzit përmes ose mbi territorin e saj.

Disa diplomatë të BE-së gjithashtu kanë pyetur, privatisht, nëse furnizimi me armë, për luftën, përputhet me misionin e deklaruar të EPF-së për ta “ruajtur paqen dhe për të parandaluar konfliktet”, dhe nëse fokusi në Ukrainë nënkupton se janë injoruar vendet tjera që kanë nevojë për mbështetje.

Edhe zyrtarët nga vendet më pro-Ukrainës u tmerruan kur Borrelli, disa orë pasi u shpall vendimi për të armatosur Ukrainën, u tha gazetarëve se EPF-ja mund të financonte “aeroplanët luftarakë” për Ukrainën.

Një vit më pas, ende shihet si hap shumë agresiv dhe si hap që mund të provokojë reagim përshkallëzues nga Moska.

Sfida për BE-në është se sa kohë do t’i duhet të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën në luftën që nuk shfaq asnjë shenjë përfundimi. Si Rusia ashtu edhe Ukraina besojnë se mund të fitojnë më shumë territore dhe nuk shfaqin dëshirë për bisedime të afërta për paqen.

Në të njëjtën kohë, zyrtarët evropianë kanë paralajmëruar se industria e mbrojtjes e kontinentit është “nën tendosje”, me fabrikat e armëve që punojnë plotësisht për të vazhduar me kërkesat e luftës. Gjatë janarit, Rusia gjatë ditës gjuante katër herë më shumë predha artilerie sesa Ukraina.

Shtetet anëtare kanë rënë dakord të dyfishojnë madhësinë e EPF-së për të mbajtur stabil rrjedhjen e armëve dhe disa vende po bëjnë presione për më shumë blerje të përbashkëta të furnizimeve kritike, të tillat si municionet e artilerisë të financuara nga fondi.

Pavarësisht se si rrjedhin paratë, ndikimi më i madh i ndryshimit të Brukselit, në armatosjen e Ukrainës, do të jetë marrëdhënia e saj e ardhshme me Rusinë dhe qëndrimi i saj ndaj shteteve tjera që kërcënojnë integritetin e saj ekonomik ose territorial.

“Logjika e sigurisë [së BE-së], logjika strategjike e kaq shumë vjetëve, ishte të përpiqeshim dhe të ndihmonin në forcimin e Rusisë, ta bënin Rusinë më të qëndrueshme dhe të suksesshme, dhe të përpiqeshin, në një farë mase, që të paktën të ishte gjithëpërfshirëse me Rusinë në lidhje me mënyrën se si rendi evropian po ndërtohej”, thotë Youngs. “Kjo tani rrënjësisht ka ndryshuar dhe kjo do të jetë pjesë e trashëgimisë më të gjatë”.

Erërat e kundërta ekonomike që rezultojnë nga lufta, ndihen në gjithë BE-në, duke lënë shumëkënd të shtrojë se për sa kohë mund ta ruajë mbështetjen e saj. Çmimet e energjisë mbeten të larta, duke kontribuar në shumë vende në një krizë të kostos së jetesës.

Pavarësisht mesazheve publike të unitetit, zyrtarët e BE-së vazhdimisht theksojnë, në mënyrë private, se ruajtja e kohezionit është detyra më e ngutshme, meqë ata kërkojnë të bien dakord për reagimet e përbashkëta. Teksa sondazhet kombëtare bëjnë me dije se shoqëritë evropiane me mbështetje qëndrojnë prapa Ukrainës, kryeqytetet janë të vetëdijshme se mbështetja ushtarake për Kievin do të vijë me çmim të shtuar për taksapaguesit.

Por, siç tha javën e kaluar Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s: Perëndimi “duhet të shtojë mbështetjen tonë për Ukrainën, sepse do të jetë tragjedi për ukrainasit, por edhe e rrezikshme për të gjithë ne nëse presidenti [Vladimir ] Putin fiton në Ukrainë”.

Tash për tash, EPF-ja dhe aftësia e saj për të financuar armët e luftës, duket se janë pjesë e aparaturës.

“Tash e tutje do të ekzistojë përgjithmonë. Është si fondet strukturore”, thotë Borrell, duke iu referuar mbështetjes financiare të krijuar prej kohësh në BE për vendet më të varfra, për të përmirësuar ato ekonomitë e tyre kur për herë të parë bashkoheshin në bllok.

“Është mjet që është aty, që do të rritet”, shton ai. “Dhe, më nuk do të kemi kaq shumë kufizime nëse duhet të mbështesim një tjetër ushtri”.

Shumë zyrtarë evropianë besojnë se mbështetja e EPF-së për Ukrainën është edhe më e rëndësishme, duke pasur parasysh se sa shumë i befasoi kritikët e qasjes tipike të sigurisë së BE-së, dhe reputacionin e saj të gjatë për paragjykime, grindje të brendshme dhe veprim të vonuar.

“Thënia e parave, që në fillim, bën me dije për udhëheqjen strategjike, përpjekjen për të udhëhequr ndryshimin, për të nxitur narrativën dhe jo vetëm t’u udhëhequr nga ngjarjet”, thotë Salm nga Estonia. “Është epokë krejtësisht e re për Bashkimin Evropian. /Telegrafi/

Përktheu: Agron Shala